Takimi Merkel – Putin shihet si impuls i rëndësishëm për qetësimin e konfliktit.
I ngarkuari i qeverisë gjermane për Rusinë, Gernot Erler, tha pas takimit Putin, Merkel, Hollande dhe Poroshenko, se gjatë tij ishte “arritur më tepër se sa kishte menduar ai”. Plani për zbatimin e Marrëveshjes së Minskut është shumë i rëndësishëm, sepse në të kaluar lidhur me këtë ka pasur mosmarrëveshje, shtoi ai.
Erleri e quajti “surprizuese” marrëveshjen për një mision të armatosur policor të OSBE-së për të ndihmuar për përgatitjen e e zgjedhjeve lokale në rajonet rebele lindje të Ukrainës. Kancelarja Merkel nga ana e saj, tha në konferencën për shtyp, se ky mision nuk është urgjent, sepse fillimisht duhet përgatitur një ligj zgjedhor.
Një marrëveshje tjetër me rëndësi është për largimin e minave nga disa zona. Deri tani hapa të tillë janë ndërmarrë për tri zona dhe do të pasojnë edhe katër të tjera.
Impuls i rëndësishëm për qetësimin e konfliktit
Zëvendëskryetari i grupit parlamentar CDU/CSU, Franz Josef Jung, e quajti takimin një impuls të rëndësishëm për qetësimin e konfliktit. Tani duhet të shihet nëse palët do ta respektojnë dhe realizojnë planin për Marrëveshjen e Minskut, sepse pjesa më e madhe e marrëveshjeve për të cilat ishte rënë dakord deri tani, nuk ishin realizuar “për shkak të mungesës së vullnetit nga palët e konfliktit, sidomos të separatistëve ukrainës dhe të Rusisë.” – theksoi Franz Josef Jung.
Kancelarja gjermane Angela Merkel do të informojë gjatë takimit të radhës të BE-së këtë javë në Bruksel kryetarët e shteteve dhe të qeverive për takimin e Berlinit. (dw)