Greqia, por edhe Spanja, Portugalia dhe Irlanda, kanë humbur shumë prej fuqisë së tyre ekonomike gjatë krizës dhe në të njëjtën kohë është rritur papunësia. Por a mund të ndikojnë borxhet e reja në rimëkëmbjen ekonomike?
Para së gjithash: askush nuk dyshon se Greqia ka nevojë për reforma themelore: qeverisje më të mirë, më pak korrupsion, më shumë konkurrencë. Po ashtu është e kuptueshme që donatorët i lidhin kreditë e tyre me kushte.
Pyetja është deri tani në bisedimet e eurogrupit u është kushtuar më tepër rëndësi masave të kursimit dhe shumë pak investimeve. Në Gjermani flitet gjithmonë në këtë pikë për amvisën, e cila përpiqet që t’i ketë kostot nën kontroll dhe nuk shpenzon më shumë se sa ka, sikurse u shpreh në një intervistën “Der Spiegel”, ministri i Financave Wolfgang Schäuble.
Përfundimet e 104 studimeve ndërkombëtare
Por ekonomitë e vendeve në krizë nuk mund të krahasohen me ekonominë e një shtëpie dhe ekonomistët mendojnë se Greqia mund ta kapërcejë krizën vetëm në rast se ekonomia shënon përsëri rritje dhe krijohen vende të reja pune. Dhe për këtë nevojiten investime.
Ekonomistët kanë analizuar në studime të shumta, se si shtetet mund t’i nxisin ekonomitë e tyre. Sebastian Gechert nga Instituti për Hulumtime Makroekonomike (IMK) në Dyseldorf, ka krahasuar rezultatet e 104 studimeve të botuara në periudhën 1992-2012 në revista shkencore ndërkombëtare. Ato trajtojnë të ashtuquajturit shumëzues fiskalë, me të cilët mund të llogaritet se si shpenzimet shtetërore ndikojnë në rritjen ekonomike.
Rezultati: deri tani efektin më të mirë e kanë investimet shtetërore. Çdo euro e investuar nga shteti, sjell një rritje shtesë prej 1,30 deri 1,80 euro. Sipas studimeve efekti është tepër i dobët, në qoftë se paratë përdoren për të punësuar nëpunës të tjerë publike janë vendosur ose në qoftë se shteti konsumon. Në konsumin publik përfshihen shpenzimet për fusha të ndryshme si arsimi, sporti, kultura, sigurimet shoqërore, por edhe për rendin publik ose për mbrojtjen e mjedisit. Shpenzimet për ushtrinë sjellin ekonomikisht më së pakti.
Greqia, por edhe Spanja, Portugalia dhe Irlanda, kanë humbur shumë prej fuqisë së tyre ekonomike gjatë krizës dhe në të njëjtën kohë është rritur papunësia. Politika e kursimit ka “një ndikim negativ në rritjen dhe punësimin,” shkruan Sebastian Gechert, autor i meta-studim të IMK-së. “Në të kundërt, investimet e financuara publikisht sjellin mesatarisht, një stimul relativisht të madh të rritjes ekonomike.”
Borxhe të reja?
Pyetja është se si mund të financohen investimet publike kur shteti nuk ka para. Përmes rritjes së taksave apo shkurtime në vende të tjera, siç është bërë në Greqi, Spanjë dhe vende të tjera. Megjithatë, këto masa kanë një efekt negativ në rritjen ekonomike dhe kështu dobësojnë efektet pozitive të investimeve.
Sipas analizës së Sebastian Gechert në rast se investimet shtetërore financohen vetëm prej borxheve, kjo nuk e rrit patjetër nivelin e borxhit, sepse në rast se investimet bëjne efekt ato nxisin rritjen ekonomike dhe në këtë mënyrë shpezimet për shtetin mbeten të ulëta, deri në 40%. Por për këtë është parakusht dhe domosdoshmëri një sistem fiskal funksionues.
Dështim i ri?
Në diskutimet e fundit në lidhje me një program të ri ndihmash për Greqinë u fol shumë pak për investime të reja. Vërtet Presidenti i Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker u referohet deri në 35 miliardë eurove nga arkat e rregullta të BE-së, por për to Greqia dueht të përdorë paratë e saj si bashkëfinancim – para që shteti nuk i ka.
BE-ja e ka ulur tani kërkesën për bashkëfinancim. Megjithatë ekonomisti dhe Drejtori i IMK-së Gustav Horn rekomandon për të shkuar dhe një hap më tej: “Sugjerimi ynë është që Greqisë t’i mundësohet për një vit një përdorim i kufizuar i këtyre fondeve pa bashkëfinancim, në mënyrë që qeveria të mund të nisë menjëherë një program investimi dhe për shkak të presionit kohor edhe të jetë e detyruar ta bëjë këtë.”
Ekonomikisht Horn sheh nga marrëveshja e arritur deri tani ndërmjet eurogrupit dhe Greqisë “të paktën një shans të vogël të rimëkëmbjes së ekonomisë greke”. Megjithatë vetëm kur edhe të investohet me të vërtetë. “Por në qoftë se strategjia e shpëtimit do të jetë një vazhdimin intensiv i shkurtimeve në buxhetin e shtetit, edhe ky program do të dështojë si dhe paraardhësit e tij.” (dw)