Shefi i Shtatmadhorisë amerikane, gjeneral Joe Dunford tha se ai nuk ka “asnjë dyshim” që ndërhyrja ruse në Siri e mbajti në këmbë qeverinë e presidentit sirian Bashar al-Asad.
“Në lidhje me aktivitetin e Rusisë në Siri, – tha gjenerali, – nuk ka absolutisht asnjë dyshim se ata e stabilizuan regjimin, dhe e kanë vënë veten në një pozitë të tillë që mund të ndikojnë mbi zgjidhjen politike në vend.”
Ai i bëri komentet në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington.
Gjenerali Dunford tha se qeveria siriane ishte në pozitë tepër të vështirë në korrik dhe gusht të vitit të kaluar, por tani është në “gjendje shumë më të mirë.” Tërheqja e Rusisë nga Siria “hedh pikëpyetje” rreth qëllimit të saj të vërtetë të hyrjes në konfliktin në Sirian, tha gjenerali.
“Qëllimi i deklaruar ishte për të goditur ISIS-in,” tha ai. “Ata kanë shpallur tashmë tërheqjen. Nga këndvështrimi im, ka ende punë për të bërë kundër ISIS-it”. (voa)