Dënimi për korrupsion i kreut të korporatës Samsung

Samsung miliarderiGjykata në Korenë e Jugut e dënoi miliarderin e firmës Samsung, Lee Jae-young, me pesë vjet burgim për dhënie rryshfeti. Vendimi është në vazhdimësi të së njëjtës çështje të korrupsionit që rrëzoi nga posti Presidenten e vendit.

Gjykata e Seulit e shpalli fajtor zotin Lee edhe për akuza si përvetësim fondesh, fshehje të fondeve në llogari jashtë vendit, fshehje të fitimeve nëpërmjet veprimtarisë së paligjshme, si dhe për dëshmi të rreme.

Zoti Lee ka mohuar të gjitha akuzat dhe avokatët e tij u shprehën se do ta apelojnë vendimin.

Banorë të Seulit shpresojnë se vendimi do të ngjallë edhe ndryshime në zhvillimin e ekonomisë së vendit, e cila është dominuar prej kohësh nga korporatat në pronësi të disa familjeve.

“Dhënia e dënimit me pesë vite burgim është një zhvillim i rëndësishëm që shpresoj të bëhet shembull edhe për të tjerët”, thotë studenti 20-vjeçar, Kang Chan-Woo.

Dënime të ngjashme në të kaluarën duket se nuk kanë arritur të krijojnë ndryshimin e dëshiruar, ndërkohë që ekziston frika për rënie të bizneseve të ndikuara.

“Nëse shohim dënimet e dhëna në të kaluarën për krerë korporatash, duket se nuk ndikoi tek biznesi i tyre dhe prezenca në treg. Mungesa e udhëheqjes sidoqoftë mendoj se do të ndikojë negativisht tek kjo kompani”, thotë Chung Sun-Sup, e firmës analitike për korporatat “Chaebul.com”.

Aksionet në bursë të korporatës Samsung ranë menjëherë me 1%. Ndërkohë, në Korenë e Jugut vazhdojnë proceset gjyqësore ndaj ish-Presidentes së vendit, Park Geun-hye, dhe mikes së saj, Choi Soon-sil, për rolin që ato kanë luajtur në këto skema rryshfeti. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>