Pranë një stadiumi të Parisit pati shpërthime si dhe shkëmbime zjarri.
Një zyrtar i policisë i tha Zërit të Amerikës se bëhet fjalë për 67 persona të konfirmuar të vdekur deri tani. Ai tha se të paktën 15 vetë janë vrarë brenda një salle koncertesh ku po mbaheshin peng dhjetra njerëz.
Në një stadium në afërsi të Parisit, ku po luhej një ndeshje mes Francës dhe Gjermanisë u dëgjuan disa shpërthime. Në ndeshje ishte i pranishëm edhe presidenti francez Francois Hollande.
Helikopterë të policë fluturonin mbi stadium, ndërsa presidenti shkoi me nxitim në ministrinë e brendshme për të ndjekur situatën.
Presidenti Barak Obama i quajti sulmet një “përpjekje të egër për të terrorizuar civilët.” Në një fjalim televiziv të premten mbrëma, ai tha se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë bashkë me Francën për të luftuar terrorizmin. Ai tha se kishte vendosur të mos i telefononte Presidentit Hollande menjëherë pas sulmeve, por se është i bindur që ai do të jetë në komunikim të drejtpërdrejtë me të më vonë.
Kryeministri britanik, David Cameron shkruante në Twitter: “Ne do të bëjmë çdo gjë që mund të bëjmë për të ndihmuar.” Ai tha se ishte tronditur nga ngjarjet në Paris dhe se mendimet e lutjet e tij ishin për popullin francez. (voa)