Dhoma e Përfaqësuesve votoi për të ngritur zyrtarisht akuzat kundër Presidentit Donald Trump.
Rezoluta për ngritjen e akuzave u miratua me 232 vota pro dhe 197 kundër.
10 republikanë u bashkuan me demokratët, duke votuar për ngritjen e akuzave ndaj Presidentit Trump.
Ligjvënësja Liz Cheney, numri tre ndër ligjvënësit republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve, ishte një prej tyre. Ajo tha me një deklaratë se “kurrë më parë nga ana e një presidenti nuk ka patur një tradhëti më të madhe”.
Mes republikanëve të tjerë që votuan për ngritjen zyrtarisht të akuzave për shkarkimin e zotit Trump ishin ligjvënësit John Katko, Jaime Herrera Beutler, Adam Kinzinger, Dan Newhouse, Fred Upton dhe Kelly Armstrong.
Është hera e parë në historinë amerikane që ndaj një presidenti ngrihen dy herë akuza për shkarkim, këtë radhë për për nxitje dhune lidhur me sulmin në Kapitol.
Miratimi i rezolutës për ngritjen e akuzave pasoi një sesion komentesh nga anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve që u karakterizua nga deklarata pro dhe kundër procesit të ndara përgjithësisht në linja partiake.
Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi e quajti presidentin një kërcënim “ndaj lirisë, vetë-qeverisjes dhe sundimit të ligjit”. Por një aleat i fortë i presidentit, ligjvënësi republikan nga Ohajo, Jim Jordan tha se ngritja e akuzave kundër presidentit “nuk do të bashkojë vendin. Ky është thjesht një akt politik”. Demokratët, tha zoti Jordan, “duan ta shuajnë këtë president”.
Ligjvënësi demokrat Steny Hoyer tha se presidenti “solli turp dhe kaos në presidencë” dhe e shndërroi në “armë urrejtjen”. Ligjvënësi republikan Tom Cole u shpreh kundër ngritjes së akuzave në ditët e fundit të presidencës Trump. “Nuk gjej dot asnjë shembull tjetër që mund të shkaktojë përçarje më të thella se sa ky akt që ka ndërmarrë shumica e Dhomës. Në vend që të përgatitemi për administratën e ardhshme, shumica e Dhomës ka vendosur të lajë hesapet me administratën ekzistuese”.
Ligjvënësi republikan Jason Smith tha: “Të vëmë popullin mbi politikën. Ky proces për ngritje akuzash është i papërgjegjshëm”.
Më parë, udhëheqësi republikan i Dhomës së Përfaqësuesve Kevin McCarthy, një aleat i ngushtë i zotit Trump, kishte paralajmëruar se “ngritja e akuzave për shkarkimin e zotit Trump gjatë kësaj periudhe do të kishte efektin e kundërt ndërsa vendi është i përçarë”.
Çështja kalon në Senat
Tani çështja kalon për gjykim në Senat. Udhëheqësi i shumicës në Senat, republikani Mitch McConnell menjëherë pas votimit në Dhomën e Përfaqësuesve tha se procesi në senat do të fillonte në seancën e rregullt të ardhshme, më 19 janar një ditë para inaugurimit.
Në një deklaratë, zoti McConnell tha se “thjesht nuk ka asnjë shans që një gjyq i drejtë ose serioz të përfundojë përpara se Presidenti i zgjedhur Biden të bëjë betimin javën e ardhshme.”
“Edhe nëse procesi i Senatit do të fillonte këtë javë dhe do të vihej menjëherë në lëvizje, asnjë vendim i formës së prerë nuk do të merrej derisa Presidenti Trump të linte detyrën. Ky nuk është një vendim që po marr; është një fakt”, tha senatori McConnell, i cili ishte shprehur më herët se nuk kishte marrë një vendim përfundimtar se si do të votonte.
Deklarata e tij do të thotë që procesi do të vazhdojë kur Senati të jetë nën drejtimin demokrat. Kreu i ardhshëm i shumicës demokrate në Senat, Chuck Schumer tha se një gjyq Senat mund të fillonte menjëherë, nëse udhëheqësi aktual i Shumicës binte dakord të thërriste një seancë emergjente, “ose do të fillojë pas 19 Janarit”
“Por të jeni të sigurt që do të ketë një gjyq për të vendosur për akuzat për shkarkim fajësimin në Senatin e Shteteve të Bashkuara; do të ketë një votë për dënimin e presidentit për krime dhe veprime të papranueshme; dhe nëse presidenti shpallet fajtor, do të ketë një votim që t’i ndalojë atij një kandidim tjetër”, tha Senatori Schumer.
Kryetarja e Dhomës Nancy Pelosi njoftoi të martën vonë se kishte zgjedhur ligjvënësin Jamie Raskin për të udhëhequr një grup ligjvënësish që do të paraqesin çështjen në Senat.
“Është detyra e tyre kushtetuese dhe patriotike të paraqesin çështjen për shkarkimin e Presidentit”, tha zonja Pelosi në një deklaratë. “Ata do ta bëjnë këtë të udhëhequr nga dashuria e madhe për vendin, vendosmëria për të mbrojtur demokracinë tonë dhe besnikëria ndaj Kushtetutës. Ata do të nderojnë detyrën e tyre për të mbrojtur demokracinë për popullin me shumë solemnitet dhe urgjencë”.
Edhe nëse zoti Trump do të largohej nga detyra, një vendim i Senatit pro akuzave pas përfundimit të mandatit, do ta ndalonte atë të kandidonte për një post zyrtar në qeverinë federale në të ardhmen.
Presidenti Trump u drejtohet amerikanëve, nuk përmend miratimin e akuzave
Presidenti Trump lëshoi një video në Twitter të mërkurën në mbrëmje ku ai nuk përmendi miratimin e akuzave për shkarkim megjithëse videoja doli në të njëjtën kohë kur zonja Pelosi po nënshkruante akuzën për shkarkim kundër tij.
Ai u përqendrua në komentet e tij tek dhuna në Kapitol më 6 janar, që përbënte pikërisht bazën për ngritjen e akuzës.
“Dënoj pa mëdyshje dhunën që pamë javën e kaluar. Dhuna dhe vandalizmi nuk kanë absolutisht vend në vendin tonë dhe në lëvizjen tonë. ‘Ta bëjmë Amerikën madhështore përsëri’ ka qenë gjithnjë në mbrojtje të shtetit ligjor, mbështetjes së burrave dhe grave të forcave zbatimit të ligjit dhe përkrahjes së traditave dhe vlerave më të shenjta të vendit tonë. Dhuna e bandave shtë kundër gjithçkaje që unë besoj dhe gjithçkaje për të cilën lëvizja jonë qëndron”, tha ai.
Dhe protestuesit, që shkuan në Kapitol kishin marrë më parë pjesë në një tubim në Shtëpinë e Bardhë, ku presidenti i kishte nxitur që të shkonin drejt Kongresit, për të kërkuar përmbysjen e fitores së zotit Biden që po konfirmohej nga ligjvënësit.
Në një video javën e kaluar pas dhunës ai iu drejtua turmës së mbështetësve të tij duke u thënë “ne ju duam, ju jeni shumë të veçantë”, pasi tha se zemërimi i tyre ishte i kuptueshëm, pasi “na janë vjedhur zgjedhjet”, duke përsëritur pretendimin pa baza se votimet ishin manipuluar.
voa