Dhuna e tifozëve rusë

dhuna ruseFranca dëboi drejtuesin e ekstremit të djathtë të shoqatës së tifozëve rusë të futbollit Alexander Shprygin dhe 20 tifozë të tjerë, pas dhunës së ushtruar në ndeshjen Angli Rusi në Marsejë. Organizatorët e Kampionatit Evropian, kanë kërcënuar madje edhe përjashtimin e Rusisë nga kamapionati për shkak të dhunës së tifozëve. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell, po shtohen shqetësimet para Kampionatit Botëror që do të mbahet në Rusi në vitin 2018, pasi provat flasin për shtimin e lidhjeve mes huliganëve dhe grupeve politike të ekstremit të djathtë.

Të filmuar nga një kamera e montuar, huliganët rusë vërshuan nëpër rrugët e Marsejës javën e kaluar. Një tifoz anglez bie në tokë dhe goditet disa herë me shkelma. Kriminologu Alberto Testa thotë se videoja është pjesë e propagandës së huliganëve.​

“Rusia ka një problem të madh me huliganizmin neo-nazist. Nuk është një fenomen i ri or Kupa e Evropës është një vend i përsosur për ta për t’u bërë të njohur. Ata kanë tipare narcisiste.”

Tifozët ultra-nacionalistë rusë e shohin veten sikur po marrin pjesë në betejat gjeopolitike të Kremlinit në miniaturë.

“Disa prej tyre kanë qënë në ushtri. Ata janë në përgjithësi mirë në boks dhe në artet marciale. Ata e planifikojnë me kujdes dhe hollësi dhunën”, thotë Alberto Testa.

Ata kanë edhe mbështetjen e disa zyrtarëve qeveritarë. Ligjvënësi dhe anëtari i komitetit ekzekutiv të unionit të futbollit rus Igor Lebedev shkroi në Twitter pas përleshjeve në Marsejë – “Mirë e bëtë burra, vazhdoni kështu!” Ai nuk ka pranuar të dënojë dhunën dhe ka fajësuar policinë franceze.

“Ata duket se janë fare të papërgatitur për një ngjarje të tillë të madhe sportive si Kampionati Evropian”, thotë Igor Lebedev.

Në Moskë, pati një fare mbështetjeje për tifozët rusë.

“Këta njerëz janë patriotë. Ata po mbrojnë nderin e tyre.”

“Mendoj se të dënosh palën ruse është e padrejtë pasi ishin anglezët që e filluan përleshjen.”

Analistët thonë se në mbarë Evropën, grupe të tifozëve të dhunshëm po bëhen gjithmonë e më të organizuar, shumë prej tyre kanë lidhje të ngushta me grupet politike të ekstremit të djathtë si lëvizja anti-islamiste Pegida.

“Lëvizja u themelua në Gjermani nga huliganët neo-nazistë. Por ata kanë tani degë në Britani dhe nuk është habi që ajo udhëhiqet nga ish huliganë.”

Në Rusi do të zhvillohet Kampionati Botëror 2018. Veprimet e tifozëve rusë në Francë kanë ngritur shqetësime të sigurisë.​

“Për Kupën e Botës do të ketë rreziqe nga ky grup. Por duhet të them se edhe huliganët anglezë mund të përbëjnë rrezik.”

Testa është i shqetësuar se bashkëpunimi i mëtejshëm mes forcave politike të ekstremit të djathtë dhe huliganëve të mirë organizuar do të verë në shënjestër jo vetëm rivalët por edhe kundërshtarët politikë dhe grupet e pakicës. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>