Një rafineri e naftës në qytetin Riazan në Rusi është përfshirë plotësisht nga zjarri, pasi Kievi e kreu një sulm të madh me dronë të premten.
Ky sulm – më i madhi i Ukrainës që nga fillimi i këtij viti – u krye ndaj më shumë se dhjetëra rajoneve të Rusisë, përfshirë Moskën.
Dëshmitarët dhe videot e verifikuara shfaqin një zjarr shumë të madh në rafinerinë e naftës së Rosneftit në Kazan.
Një video, e postuar në Telegram, shfaq zjarrin e madh dhe njerëzit duke bërtitur dhe duke ikur nga një zonë industriale e përfshirë nga flakët.
Për zjarre u raportua gjithashtu edhe në afërsi të termocentrali t Novo-Riazan.
Nuk është raportuar për viktima, ndërsa Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se i ka shkatërruar mbi 120 dronë ukrainas në të gjithë territorin rus.
Sipas kryetarit të Moskës, Sergei Sobyanin, gjashtë dronë u rrëzuan mbi Moskë, dhe disa të tjerë u rrëzuan në zonat përreth, Shchyolkovo, Kolomna, Ramenskoye dhe Podolsk.
Sobyanin tha se nuk pati dëme të mëdha apo lëndime në vendet ku kishin rënë mbetjet e dronëve, por sulmi shkaktoi ndërprerje të dukshme në trafikun ajror civil, duke pezulluar përkohësisht operacionet në tri aeroportet kryesore të Moskës – Vnukovo, Domodedovo dhe Zhukovsky.
Sipas Ministrisë ruse së Mbrojtjes, në rajonin Briansk u rrëzuan 37 dronë, ndërsa në rajone të tjera si Kursk dhe Saratov u rrëzuan nga 17 dronë. Numër më i vogël dronësh u rrëzuan në rajonet Rostov, Belgorod, Voronezh, Tula, Oryol dhe Lipetsk.
Kufizime të përkohshme u vendosën gjithashtu për uljet dhe nisjet e fluturimeve në aeroportet në Kazan, Nizhnekamsk, Penza, Samara dhe Saratov, për shkak të kërcënimit të vazhdueshëm nga dronët.
Shkalla e sulmeve të Ukrainës me dronë kundër Rusisë përkoi me një seri sulmesh ajrore ruse mbi territorin ukrainas.
Në Kiev, një sulm rus shkaktoi vdekjen e tre civilëve. U raportuan gjithashtu dëme në zona banimi, duke përfshirë shkatërrime të konsiderueshme në qytetet Fastiv dhe Brovari, pranë kryeqytetit ukrainas.
Forcat ruse përdorin rregullisht lloje të ndryshme armësh, përfshirë dronë, raketa dhe artileri, për t’i sulmuar rajonet ukrainase, duke goditur shpesh infrastrukturën civile dhe zonat e banuara.
Derisa autoritetet ruse e mohojnë se e sulmojnë qëllimisht infrastrukturën civile, Ukraina dhe organizatat ndërkombëtare i kanë dënuar këto veprime si krime lufte, duke theksuar frekuencën dhe natyrën e qëllimshme të sulmeve ndaj spitaleve, shkollave dhe objekteve energjetike.
rel