21 vjet kanë kaluar nga dita e tmerrshme e 11 korrikut 1995, kur u vranë 8.000 burra e të rinj myslimanë para syve të OKB-së në Srebrenicë. Ende vazhdon identifikimi e varrosja e viktimave.
Bosnje-Hercegovina përkujton më 11 korrik viktimat e masakrës së Srebrenicës. Që në fundjavë filluan ceremonitë përkujtimore, kur të shtunën mijëra boshjakë përcollën një kamion që qëndroi në Sarajevë gjatë rrugës për në Srebrenicë, me kufomat e 127 viktimave të tjera të identifikuara . Varrimi i viktimave zhvillohet të hënën (11.07), dita e vrasjes së 8000 burrave e djemve myslimanë, masakra më e tmerrshme në Europë që pas Luftës së II Botërore, që u krye para syve të helmetkaltërve të OKB-së.
Gazeta serbe mohon gjenocidin
Ndërkohë pak ditë para përvjetorit të 21-të të masakrës së Srebrenicës, gazeta serbe e afërt me qeverinë “Novosti” shkruan se “në Srebrenicë nuk ka pasur -gjenocid” dhe se vrasja e 8000 burrave e djemve myslimanë ka qenë vetëm “një formë e hakmarrjes” për vrasjen e mëparshme të serbëve nga myslimanët. Gazetari serb e kryeredaktori i gazetës, Ratko Dimitrovic vëren se vrasja e banorëve serbë në rajonin e Srebrenicës ka më shumë elementë të gjenocidit, se masakra e Srebrenicës, më 11 korrik 1995. Edhe vendimi i Tribunalit të Hagës që e cilësoi masakrës si gjenocid nuk e ndryshon këtë fakt, shkruan ai në gazetën “Novosti.”
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe Tribunali i Jugosllavisë e kanë kategorizuar masakrën e Srebrenicës si “gjenocid”. Vitin e kaluar një rezolutë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të shpallur masakrën e Srebrenicës si gjenocid dështoi për shkak të vetos ruse. Ndërkohë njëri nga ideatorët e orkestruesit e masakrës kundër myslimanëve, Radovan Karaxhiç mori nga Tribunali i Hagës dënimin prej 40 vjetësh. Gjykatësit e panë si të provuar që Karaxhiç planifikoi dhe urdhëroi shfarosjen dhe zhdukjen e popullsisë myslimane në Bosnje-Hercegovinë. Kundërshtimet e Karaxhiçit se ai nuk dinte asgjë për veprat e ushtarëve dhe milicëve të tij, u rrëzuan pas 500 ditë seancash gjyqësore. (dw)