E mbijetuara e Aushvicit e quan Angela Merkelin heroike

Joachim Gauck. Ruth Klüger, Angela Merkel, Norbert Lammert

Joachim Gauck. Ruth Klüger, Angela Merkel, Norbert Lammert

E mbijetuara e kampit të Aushvicit, Ruth Klüger flet në orën përkujtimore për viktimat e nacionalsocializmit mbi përjetimet e saj si punëtore me punë të detyruar. Dhe në fund ajo citon Angela Merkelin

“Tani do t’ju tregoj pak për përvojat e mia”, e nis dëshmitarja 84 vjeçare fjalën e saj në sallën plenare të Bundestagut. Ruth Klüger, studiuesja e letërsisë e lindur më 1931 në Vjenë, ishte punëtore me detyrim dhe e mbijetoi kampin e përqendrimit Auschwitz-Birkenau. Ata pak vetë që patën mbetur gjallë u çlriuan në 27 janar 1945 nga ushtarët sovjetikë. Vajza 13 vjeçare atëherë arriti të shpëtonte me një gënjështër nga halli. Kur zagarët e nazistëve kërkonin të burgosur për shërbimin e punës, Ruth-i e vogël e paraqiti veten pak më të madhe. Sepse ata që përzgjidheshin duhet të ishin të paktën 15 vjeç. “Shikoni, ajo është në gjendje të punojë”, kishte thënë një gardiane në kampin e përqendrimit duke parë pulpat e trasha të fëmijës. Me këtë truk Ruthi i shpëtoi dhomës së gazit. Të gjithë të tjerët, me të cilët ajo qe deportuar më parë nga kampi i përqendrimit Theresienstadt për në Aushvic i vranë.

Shumë gra i keqtrajtuan si prostituta në kampin e përqendrimit

Në godinën e Rajshtagut është qetësi, kur zonja e brishtë flet për mundimet e jetës së saj atëherë dhe më vonë. Vetëm pëshpërima e përkthyesve dëgjohet nganjëherë, po të jesh pranë mysafirëve të huaj me kufje. Ruth Klüger kujton dimrin 1944/1945. Ka qenë koha më e ftohtë që mban mend ajo. “I ftohti, ndaj të cilit je krejtësisht e pambrojtur sjell në kujtesën time gjithmonë punën me detyrim.” Së bashku me të ëmën ajo duhej të priste pemë në pyll, të transportonte trungjet, të zhvendoste shinat. “Me sa duket donin të ndërtonin diçka”. Se çfarë saktësisht, këtë ajo nuk e mësoi kurrë.

Nganjëherë atë e kishin dhënë hua në familje të ndryshme, nganjëherë ajo duhet të punonte në gurore. Atje ishte “aq ftohtë sa mund të ngordhje”. Veshja tepër e hollë, në këmbë letër gazetash, në këmbë plagë me qelb. “Gurorja më del nganjëherë ende në ëndërr”, thotë Ruth Krüger shtatë dekada më vonë në orën përkujtimore dhe lexon një poemë, që flet për vuajtjet dhe shpresat e atëhershme. Ruth Krüger përmend edhe një punë të të burgosurave gra, e cila më vonë nuk u njoh si punë me detyrim: prostitucioni. Gratë kanë vazhdimisht në rrezik që të sëmuren ose të mbeten shtatzëna.

Në fund të fjalës së saj prej 25 minutash, Ruth Klüger ndalet në kulturën gjermane të kujtesës dhe në situatën aktuale të refugjatëve. Ajo e lëvdon Gjermaninë për politikën e saj të “kufijve të hapur dhe të bujarisë”. Për këtë, ajo kishte kaluar nga “habia në admirim”. E mbijetuara e Holokaustit falënderon në fund me një shprehje “të thjeshtë dhe heroike”, siç thotë ajo. “Do t’ia dalim mbanë”. Për minuta të tëra politikanët në sallën plenare të Bundestagut dhe mysafirët e shumtë në tribunën e vizitorëve duartrokasin.

Mbështetje për Angela Merkel-in

Pastaj, Ruth Klügeri e prekur shkon me modesti te përfaqësuesit e organeve kushtetuese gjermane në radhën e parë. Njëri pas tjetrit ajo dëgjon falenderimin e Presidentit gjerman, Joachim Gauck, të Presidentit të Këshillit Federal, Stanislaw Tillich dhe të Kancelares Angela Merkel. Shprehja e Merkelit, e kritikuar kaq herë kohët e fundit – “do t’ia dalim mbanë”- ka në këtë moment një tingëllim krejt tjetër. Presidenti i Bundestagut, Norbert Lammert i mbështet shprehimisht fjalët e fundit të Ruth Klügerit. (dw)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>