E qeshura e Kamala Harris si arma e saj sekrete

KamalaE qeshura me zë të lartë dhe ngrohtësia e shoqërojnë fushatën zgjedhore të kandidates demokrate për presidente në SHBA, Kamala Harris. Kundërshtarët e marrin këtë si shkas për ta sulmuar. Por Harris përballet. Me humor.

 

Ajo ka të qeshurën e një të çmendure. Donald Trump nuk lodhet së denigruari rivalen e tij, kandidaten e demokratëve për presidente, Kamala Harris, zëvendëspresidentja aktuale e SHBA. Ai tallet me të, si grua, si person me ngjyrë. Ndjekësit e tij në internet bashkohen, duke përhapur meme ofenduese dhe video të rreme. Por Harris dhe ekipi i saj i fushatës i përballojnë këto sulme duke i mbajtur pasqyrën ekipit të Trump. Shumë ndjekës në internet po merren me këtë rast, – veçanërisht në TikTok. Kanalet që më parë merreshin me personazhe të famshëm të showbizit e portretizojnë Kamala Harris si një ikonë të popit.

Në fokus është e qeshura e Kamal Harris, që qesh edhe për veten, që i le të kalojnë fushatat e sulmeve pa u trembur dhe sipas rastit edhe kundërsulmon. Kështu së fundmi ajo tha, se i njeh si prokurore shkelësit e ligjit të të gjitha llojeve. “Kriminelë që keqtrajtojnë gratë, mashtrues, gënjeshtarë, që i përdorin rregullat për favoret e tyre. Më besoni unë i njoh tipa si Donald Trump.”

Humori si çlirim

Ajo e nervozon vërtet Trump kur e quan “weird” – “të çuditshëm”, qesharak -dhe pastaj i kthehet seriozitetit të temave të fushatës zgjedhore. Me këtë taktikë ajo së bashku me Tim Walz, kandidatin për zëvendëspresident, jo me më pak humor po fiton pikë, thotë studiuesja e humorit,  Eva Ullmann: “Fushata zgjedhore në SHBA nuk ka të bëjë sigurisht vetëm me humorin. Dyshja Harris-Walz ka një linjë të qartë politike, mund të afirmohet dhe ka një status të lartë. Ata nuk janë kabaretistë, as nuk duan të shfaqen si të tillë, por humori i tyre ka diçka shumë të ngrohtë, me këmbë në tokë, diçka tërheqëse, dhe kjo është shumë çarmatosëse.”

Ullmann thotë, se avantazhi i madh që të dy kanë ndaj Trumpit kur bëhet fjalë për humorin është “fakti që ata nuk shfaqen aspak të parespektueshëm. Pikërisht kjo duket se po i po i kthehet Trumpit dhe rrethit të tij si bumerang, sepse shoqëria thotë : ‘Jo, nuk kemi më nerva për këtë denigrim të vazhdueshëm, për nënçmim, urrejtje, jemi ngopur me këto, nuk e duam më këtë formë humori.”

Humori nuk është humbje e pushtetit

Eva Ullmann, autore e librit “Humori është çështje e shefit”, është e bindur se kultura e humorit dhe e qeshura po ndryshon. “Humori në pozitat e pushtetit ka qenë prej kohësh i lidhur me një formë agresive humori si ajo formë që praktikon Trump. Por kjo nuk mjafton për të menaxhuar mirë punonjësit. Vetëdija se ka edhe humor që mund t’i bëjë të tjerët të duken mirë, që nuk i turpëron të tjerët, ky është në fakt një zhvillim i ri në postet e larta. Frika më e madhe për humor mes njerëzve në pozita pushteti është se mos nuk merren seriozisht, se bëhen qesharakë dhe shihen si kllounë.

Frika nga e qeshura është arkaike

Kjo frikë është e rrënjosur thellë në historinë njerëzore. Studiuesit e sjelljes njerëzore janë të bindur se e qeshura ka qenë në fillesë të komunikimit njerëzor – njerëzit parahistorikë kanë qeshur para se të mund të flisnin. Psikologu dhe studiuesi i së qeshurës, Michael Titze shpjegon se si, rreth 400.000 vjet më parë një e qeshur me shaka mund të kthehej gjithashtu në një kërcënim: “E qeshura jepte një ndjenjë afërsie, lidhjeje dhe të qenurit mirë brenda grupit. Por sapo përballeshin dy klane, për shembull për shkak të grindjes për zona gjuetie, e qeshura e të tjerëve mund të nënkuptonte gjithashtu: jemi mundur, ata po dominojnë dhe po na përqeshin”. Frika nga të bërit qesharak është diçka shumë arkaike – dhe çdo politikan sot ka frikë prej saj”.

Platon pa humor

E qeshura ka qenë e politizuar që në kohët antike. Filozofi grek Platoni, për shembull nuk ishte përkrahës u humorit, ai ishte i mendimit se e qeshura ishte e rrezikshme për shtetin. Sipas tij kushdo që i jepet kënaqësisë së të qeshurës nuk është më në gjendje të mendojë racionalisht dhe humbet fuqinë. Nga ana tjetër, nxënësit të tij Aristotelit i pëlqente të qeshte dhe ishte i mendimit se e qeshura i dallon njerëzit nga kafshët. Ndoshta historia botërore do të kishte qenë ndryshe, nëse Aristoteli do të ishte ndjekur si model. Por jo, kur erdhi krishtërimi, bashkë me të erdhi edhe një fe në të cilën gëzimi dhe e qeshura nuk shiheshin me sy të mirë për një kohë të gjatë.

E qeshura në rajone të ndryshme të botës

Kjo ka ndryshuar gjatë shekujve e deri më sot, por frika shekullore e humbjes së pushtetit përmes lëshimit tek e qeshura – ekspertët e quajnë këtë frikë nga të përqeshurit si “gelotofobi” – është ende në mendjet e shumë njerëzve – në disa rajone të botës edhe më shumë se në vendet perëndimore. Në vitin 2009, një studim shumëkombësh në 73 vende i kryer nga Universiteti i Cyrihut zbuloi se në kultura të caktuara si në Lindjen e Mesme apo Azi, ku i kushtohet  theksi i veçantë nderit dhe ruajtjes së fytyrës, e qeshura mund të perceptohet shumë ndryshe. “Të përqeshësh apo të tallesh mund të çojë në reagime të pabesueshme, madje mund të shkaktojë luftëra”, thotë Michael Titze. “Kjo është arsyeja pse e qeshura në vetvete është shumë ambivalente”.

Humori është gjenetik

Po të kthehemi tek Kamala Harris: Sipas ekspertit Titze, ajo thjesht mund të qeshë me anët negative të të qeshurave të të tjerëve: “Ajo kritikohet dhe më pas fillon të qeshë me gjithë zemër, ashtu që të dobësojë kundërshtarët e saj”. Natyra gazmore e Kamala Harris është gjithashtu një lloj komunikimi. “Sipas motos: “Shiko si veproj unë dhe nëse dëshiron, eja bashkë me mua dhe pjesën tjetër e bëjmë bashkë”.

Kur dikush – si Harris – qesh me zë të lartë, truri lëshon neurotransmetues që përcjellin një ndjenjë të mirë. Jo më kot thuhet: “E qeshura është ilaçi më i mirë”. Njerëzit e lumtur janë tërheqës. Megjithatë, studiuesi i të qeshurit Michael Titze e bën të qartë se e qeshura është gjenetike: “Nuk mund të mësosh humorin, nuk mund ta luash ose ta detyrosh, sepse atëherë duket e sforcuar. Potenciali individual i zhvillimit të humorit është i lindur.”

dw

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>