Presidenti i Iranit, Hassan Rohani, në një fjalim të zjarrtë televiziv, fajësoi Shtetet e Bashkuara për problemet ekonomike në Republikën Islamike.
Prej ditësh, iranianët janë duke protestuar kundër rënies së vlerës së monedhës kombëtare.
Rohani u bëri thirrje qytetarëve të tij ta ruajnë unitetin dhe “ta sjellin Amerikën në gjunjë”. “Do t’i përballojmë problemet, do ta përballojmë presionin, por nuk do ta sakrifikojmë pavarësinë tonë”, tha Rohani.
Rënia e mondedhës rial ka nisur pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka njoftuar muajin e kaluar për tërheqjen e vendit të tij nga marrëveshja bërthamore me Iranin dhe për rivendosjen e sanksioneve ekonomike kundër Teheranit.
Tregjet e naftës, ku Irani shet rreth 2.5 milionë fuçi të naftës së papërpunuar në ditë, po ashtu janë lëkundur nga perspektiva e sanksioneve të reja në nëntor, të cilat, sipas analistëve, mund të zvogëlojnë eksportet e naftës së Iranit për 800 mijë fuçi në ditë dhe të thellojnë tutje problemet e tij ekonomike.
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, fajësoi Qeverinë në Teheran për gjendjen ekonomike atje, duke thënë se ajo po i “shpërdor burimet e qytetarëve për të bërë aventura në Lindjen e Mesme”.
Pompeo tha se Republika Islamike e Iranit financon një ndërhyrje ushtarake në Siri dhe siguron financa për lëvizjen militante të Libanit, Hezbollah, për grupin palestinez Hamas dhe për rebelët Huthi në Jemen.
“Nuk duhet të befasohet askush nga protestat e vazhdueshme në Iran. Populli iranian po kërkon që udhëheqësit të ndajnë pasurinë e vendit dhe t’i përgjigjen nevojave të tij legjitime”, tha Pompeo.
“Populli i Iranit është lodhur nga korrupsioni, padrejtësia dhe paaftësia e udhëheqësve të tij”, shtoi Pompeo.
Rohani është nën presion edhe nga ligjvënësit e tij, të cilët kërkuan nga ai të ndryshojë ekipin e tij të ekonomisë.
Në një letër të publikuar nga media shtetërore e Iranit, gati dy të tretat e ligjvënësve iranianë kërkuan nga Rohani të veprojë shpejt, duke thënë se “performanca e dobët e zyrtarëve të lartë, përgjegjës për ekonominë, gjatë viteve të fundit, ka çuar në rritjen e mosbesimit të popullsisë”.
Ligjvënësit kanë fuqinë për të shkarkuar ministrat ose për të deklaruar, me anë të dy të tretave të votave, “paaftësinë” e presidentit, gjë që mund t’i hapë rrugë shkarkimit të Rohanit nga udhëheqësi suprem i Iranit.
Programi ekonomik i Rohanit ka prodhuar përparim të kufizuar pas heqjes së sanksioneve ekonomike globale në vitin 2016, bazuar në marrëveshjen bërthamore të Teheranit me fuqitë botërore.
Por, papunësia në këtë vend ka mbetur e lartë – sidomos në mesin e të rinjve nën 30 vjeç – dhe me rënien e rialit dhe sanksionet e SHBA-së, shumë nga këto përfitime janë në rrezik. (rel)