Ndërkohë që Evropa është pushtuar nga paniku dhe tronditja që lanë pas sulmet e Brukselit, ekspertët e sigurisë po diskutojnë masat që duhen zbatuar në të ardhmen për të parandaluar sulme të tjera të kësaj natyre. Izraeli ka një përvojë të qartë në zbatimin e masave të sigurisë për të identifikuar dhe parandaluar personat me synimeve terroriste.
Në Izrael, banorët i pranojnë masat e përditshme të kontrollit si një fakt i jetës, për t’u prerë rrugën elementëve keqbërës.
“Mbaj mend që gjatë gjithë jetës kam kaluar nëpër pika kontrolli, si gjithë të tjerët. Kjo metodë funksionon,” thotë një banor.
Kontrollet janë praktikë e rregullt në çdo aktivitet të jetës që nga transporti publik e deri tek veprime të rëndomta si hyrja në qendra tregtare. Izraelitët e kanë përqafuar këtë mënyrë jetese, me gjithë kokëçarjet shtesë që sjell, për hir të sigurisë së jetës.
“Shihet qartë që siguria është më e fortë këtu se në vende të tjera, por është diçka e domosdoshme. Nuk kemi zgjidhje tjetër pasi ka shumë njerëz që duan të na bëjnë keq,” thotë një shtetas izraelit.
Jeta në gjendje të vazhdueshme gatishmërie, qoftë edhe në rastet kur bëhet praktikë e përdishme, ka koston e vet psikologjike, monetare, por edhe kohore. Meir Elran, drejtor i Programit për Sigurinë Kombëtare, thotë se shpreson që Evropa do të gjejë mënyra të tjera për t’iu përgjigjur rrezikut nga terrorizmi, në forma të ndryshme nga ato që ka zgjedhur Izraeli:
“Shkojmë shpesh në Evropë dhe kur i shohim si jetojnë evropianët, na ngjallet zili. Ajo ndjenja e lirisë që ka invidi, që mund të bëjë ç’të dojë. E dimë që kur kthehemi në vend, do të na kontrollojnë, do të kalojmë barriera sigurie. Nganjëherë do të kalosh disa kontrolle për të shkuar nga një market në një bankomat e më pas për të marrë fëmijët në shkollë. Kjo na është bërë praktikë e përditshme. Uroj që evropianët të mos e gjejnë veten në këtë situatë, uroj që të gjejnë masa të tjera në përgjigje të kërcënimit terrorist. Por duhet të them se nëse evropianët do të vendosin të zbatojnë masa të tillë, nuk është shumë keq. Edhe me këto masa ne vazhdojmë të mbajmë liritë tona, të kemi mundësinë e lëvizjes”.
Ndërkohë që zyrtarët evropianë diskutojnë masat e sigurisë për të ardhmen, një balancë delikate është në pikëpyetje mes të drejtës për jetën dhe të drejtës për privaci dhe liri. (voa)