Ekspertët mbi zhvillimet në Ballkan dhe administratën Trump

fondacioni marshallBallkani ishte përsëri në qendër të vëmendjes së ekspertëve në Uashington, në një diskutim këtë herë të organizuar nga Fondacioni Gjerman Marshall. Mes nacionalizmit në rritje, ndërhyrjes së Rusisë dhe kërcënimit të ekstremizmit islamik, ekspertët bënë thirrje për një bashkëveprim më të ngushtë mes Shteteve të Bashkuara dhe Evropës për të mënjanuar paqëndrueshmërinë dhe kthimin e rajonit në një rrezik për sigurinë.

Ekspertët vërejnë të shqetësuar shtimin e ndikimit rus në Ballkan duke vënë në dukje se dinamikat negative të rajonit po zmadhohen dhe po vënë në rrezik proceset demokratike dhe stabilitetin rajonal.

Daniel Vajdich, president i grupit konsultativ Yorktown Solution, thotë se Rusia e sheh me interes të jetë tani aktive në Ballkan si barazpeshë për pretendimin e Moskës se Perëndimi minoi ndikimin rus në Ukrainë.

“Kremlini akuzoi Perëndimin se po ndërhynte pranë territorit të tij …Rusia u përgjigj në mënyrë simetrike duke thënë se, nëse ju ndërhyni pranë nesh, ne do të ndërhymë pranë jush dhe në mendje kishin pjesërisht Ballkanin. Ballkani është një objektiv i prekshëm, me histori paqëndrueshmërie, me lidhje të forta orthodokse si dhe një listë çështjesh të pazgjidhura, si ajo e marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë”.

Lisa Rhoads, eksperte e grupit Network 20/20 tërhoqi vëmendjen tek rritja e dobët ekonomike si sfida kryesore e rajonit. Ndërsa drejtuesit politikë në rajon, thotë ajo, e shohin pranimin në BE si synimin e tyre kryesor, kohëzgjatja e këtij procesi dhe pasiguria e tij nuk japin zgjidhje për situatën ekonomike.

“E vetmja alternativë që shohin zyrtarët qeveritarë në rajon është hyrja në BE. Bashkimi Evropian është zgjidhja për çdo gjë. Të gjithë e dimë se kur kemi një objektiv të vetëm afatgjatë që kërkon 5 apo 7 vjet apo që i ngjan më shumë një investimi kapital që kërkon ndoshta 10 apo 15 vjet, kjo nuk është zgjidhja që do të jepte shumë shpresë për të ardhmen”.

Zonja Rhodes thotë se rritja e sektorit privat, veçanërisht e bizneseve të vogla dhe të mesme, kanë potencial të japin një të ardhme alternative për të rinjtë e talentuar në teknologji dhe për zbutjen e papunësisë së lartë.

Zoti Vajdich tha se është pikërisht rritja e dobët ekonomike arsyeja e retorikës së shpeshtë nacionaliste tek e cila mbështetet pothuajse e gjithë elita politike e rajonit. Ai bëri thirrje për një angazhim më të madh të komunitetit të biznesit amerikan dhe evropian për zhvillimin ekonomik të rajonit.

“Ata mbështeten tek nacionalizmi në mënyrë që të tërheqin vëmendjen e popullit larg faktit se nuk kanë qenë në gjendje të rrisin ekonominë e vendit mjaftueshëm për të kënaqur qytetarët e tyre. Si rezultat është e rëndësishme për komunitetin e biznesit amerikan dhe evropian të ndërhyjnë. Prania e tyre mund të zhvillojë ekonominë e rajonit, zbut stimujt për nacionalizëm, ndihmon në konsolidimin e shtetit ligjor dhe qeverisjen e mirë dhe eliminon ndikimin negative të faktorëve të jashtëm”.

Daniel Serwer, eksperti i çështjeve të Ballkanit thotë se ndërsa kohëzgjatja e prespektivës evropiane i ka pezmatuar shumë vende të rajonit, është e rëndësishme që Shtetet e Bashkuara të punojnë për zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me anëtarësimin e tyre në aleancën e Natos.

“Anëtarësimi në Nato është shumë i rëndësishëm tani që lakmia për hyrjen në BE është venitur. Problemi është se anëtarësimi në Nato po bllokohet për vendet e mundura kandidate në Ballkan, nga specifika të këtyre vendeve, dhe jo nga aleanca e Natos. Maqedonia është bllokuar nga çështja e emrit, Kosova është bllokuar pasi nuk ka ushtri dhe po vërtetohet se është e vështirë të bëhen ndryshime kushtetuese apo legjislative që kërkohen për të krijuar një ushtri…Nëse amerikanët duan të bëjnë diçka sot në Ballkan, kjo është të zgjidhin këto probleme që po bllokojnë anëtarësimin në Nato”.

Ekspertët thanë se që nga Beogradi dhe Sarajeva e deri në Podgoricë e Tiranë, udhëheqësit e rajonit kërkojnë me zë të lartë më shumë angazhim nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Evropa ka më pak besueshmëri nga sa kishte disa vjet më parë. Ata shpresojnë që administrata Trump do ta kthejë vëmendjen nga Ballkani për një bashkëpunim konstruktiv me BE-në për të zgjidhur shumë nga sfidat në rajon. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>