Studiuesit e universitetit të Oksfordit kanë ndërprerë provat klinike me vaksinën e Oxford-AstraZenecas që përfshin fëmijë dhe adoleshentë ndërsa entet rregullatore britanike të barnave po kryejnë një rishikim mbi sigurinë e vaksinës.
Agjencia Rregullatore e Barnave dhe Produkteve të Kujdesit Shëndetësor po shqyrton një lidhje të mundshme mes rasteve të vaksinës dhe mpiksjes së gjakut në të gjithë botën, përfshirë edhe disa vende evropiane. Nga 18 milionë doza të injektuara në të gjithë kontinentin evropian deri më tani ka pasur vetëm 30 raste të mpiksjes së gjakut, përfshirë shtatë viktima. Shumica e rasteve janë diagnostikuar si tromboza të sinusit cerebral venoz, që mund të çojnë në goditje në tru.
Marco Cavaleri, përgjegjësi për vaksinat në Agjencinë Evropiane të Barnave (EMA), i tha një gazete italiane të martën se agjencia ishte e përgatitur të konfirmonte një lidhje mes vaksinës dhe mpiksjes së gjakut. Por më vonë agjencia lëshoi një deklaratë për agjencinë franceze të lajmeve AFP duke i mohuar këto pretendime. EMA bëri të ditur se do t’i njoftonte gjetjet e saj të mërkurën.
Fushatat e imunizimit me vaksinën e Oxford-AstraZeneca-s kanë krijuar një përshtjellim në të gjithë botën, fillimisht për shkak të mungesës së informacionit nga provat klinike të fazës së fundit lidhur me efektin e saj tek të moshuarit, gjë që ka ngadalësuar përpjekjet e vaksinimit në të gjithë Evropën. Shumë vende i kanë ndaluar fushatat e vaksimit me të për shkak të rasteve të mpiksjes së gjakut.
Britania shton vaksinën e Moderna-s
Britania ka futur vaksinën mjaft të suksesshme të kompanisë amerikane Moderna, e cila merret me dy doza, në fushatën e saj të imunizimit që nis të mërkurën në Uells.
Vaksina e Modernës është e treta e miratuar për përdorim në Britani pas asaj të Oxford-AstraZeneca-s dhe Pfizer-BioNTech-ut. 17 milionë doza të vaksinës së Modernës të porositura nga Britania vijnë në një kohë kur vendi po përballet me një mungesë të vaksinës së Oxford-AstraZeneca-s për shkak të problemeve në prodhim.
Ndikimi i COVID-it në tru
Një studim i ri i botuar të mërkurën në revistën mjekësore “Lancet Psychiatry” ka zbuluar se 34 për qind e personave që janë prekur nga COVID-19 vuajnë nga pasoja neurologjike ose psikiatrike brenda gjashtë muajve nga infektimi.
Në mesin e më shumë se 230,000 pacientëve që u përfshinë në studim 17 për qind u diagnostikuan me ankth dhe 14 për qind me çrregullime të humorit.
Studiuesit gjithashtu zbuluan se të infektuarit me koronavirus në 44 për qind të rasteve kishin rrezik më të madh të vuanin nga sëmundje neurologjike dhe psikiatrike krahasuar me ata që ishin prekur e shëruar nga gripi dhe 16 për qind rrezik më të madh sesa ata persona që kishin vuajtur nga infeksione të tjera të rrugëve të frymëmarrjes.
voa