Disa ditë para zgjedhjeve parlamentare të 1 nëntorit në Turqi, zyrtarët e këtij vendi nuk arritën të bien dakord madje edhe për ndryshimin e orës.
Turqia duhej të shtynte orën 60 minuta pas të shtunën pas mesnate, por në momentet e fundit, qeveria turke shtyu ndryshimin sezonal të orës deri pas zgjedhjeve tejet të polarizuara në vend, duke bërë që mijëra turq t’ia hedhin fajin presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, për konfuzionin e shkaktuar duke thënë se ai madje mendon se mund të mbajë prapa kohën.
Nuk ndodh pothuaj asgjë në Turqi pa patur protagonist Erdoganin.
Mbështetësit e tij e shohin atë si një kalif, i cili qëndron kundër forcave të çrregullimit dhe anarkisë, një udhëheqës që do të jetë në gjendje të sjellë një epokë të re neo-otomane për Turqinë, vetëm në qoftë se Partia e tij për Drejtësi dhe Zhvillim, AKP, fiton shumicën në zgjedhjet e 1 nëntorit. Gazetari i një gazete që është pro-AKP-së, Abdurrahman Dilipak këtë javë, tha se Presidenti turk mund të bëhet “kalif” i të gjithë muslimanëve sunitë në botë, vetëm në qoftë se Erdogani realizon synimin e tij për të çuar Turqinë në një sistem presidencial të qeverisjes.
Një udhëheqës i fortë
Imazhi i një udhëheqësi të fortë është kultivuar me kujdes nga Erdogani, në platformën elektorale, ai paralajmëron se shumë armiq të Turqisë, kurdët, Perëndimi, të majtët, aktivistët e të drejtave të njeriut, dhe gazetarët, janë pjesë e një rrjeti që komploton kundër tij. Gjatë një fjalimi të fundjavës në Universitetin Hasan Kalyoncu në krahinën juglindore të Gaziantepotit, ai akuzoi fuqitë botërore se duan të përçajnë Turqinë. “Ata nuk kanë qenë në gjendje të kenë sukses dhe nuk do të kenë sukses,” tha ai.
Armiqtë e tij gjithashtu e shohin atë si njeriun që do të vepronte si një kalif që do të shkelte laicizmin, modernizmin dhe do të gërryente më tej rendin e vendosur nga Mustafa Kemal Ataturkut, themelues laik i Republikës së Turqisë.
Emri i Erdoganit nuk do të jetë në fletët e votimit më 1 nëntor, por këto zgjedhje – të dytat votime parlamentare të këtij viti – janë të lidhura me udhëheqësin e debatueshëm të Turqisë. “Presidenti, në mënyrë të paligjshme dhe joetike është duke u përfshirë në procesin zgjedhor dhe po pengon funksionimin e qeverisë”, thotë profesor i Shkencave Politike, Ersin Kalaycığlu.
Zgjedhje për kontrollin e Parlamentit
Politikanët e opozitës pretendojnë se egoja e Erdoganit ka zvarritur vendin në një zgjedhje në mes të një krize të thellë të sigurisë, që ata thonë se ai ka krijuar. Ata thonë se ai qëllimisht ka sabotuar formimin e një qeverie koalicioni në qershor, pasi votuesit për here të parë që nga viti 2002 zgjodhën një parlament pa një fitues të qartë, duke e bërë të domosdoshëm organizimin e zgjedhje të parakohshmenë vend.
Partitë e opozitës kanë cilësuar zgjedhjet si një provë vendimtare e demokracisë së vendit.
Kritikët e Erdoganit thonë se zgjedhjet e një nëntorit do të jenë mbi atë se sa pushtet duhet të jetë në gjendje të ketë presidenti në të ardhmen.
Kjo ishte çështja kryesore edhe në zgjedhjet e qershorit, një gjë që i dëmtoi ambiciet e Erdoganit për të ndryshuar kushtetutën dhe për të shndërruar presidencën ceremoniale të Turqisë në një qendër të vërtetë autoriteti. Dështimi i partisë së tij në pushtet për të fituar shumicën e vendeve në parlament dëmtoi qëllimin e udhëheqësit turk për të ndryshuar sistemin politik të vendit.
Erdogani gjatë fushatës
Presidenti turk Erdogan ka qenë në qendër të fushatës zgjedhore të partisë së tij islamiste, AKP. Rritja e dhunës politike dhe rifillimin e kryengritjes nga separatistët kurdë pas sulmeve ajrore turke ndaj bazave të tyre, ka intensifikuar debatet politike mbi këto çështje dhe ato pritet të kenë një ndikim më të madh tani se sa në zgjedhjet e qershorit.
Që nga viti 1954, qeveritë turke që kanë kërkuar organizimin e zgjedhjeve të parakohshme kanë humbur në votime. Sipas analistëve, Erdogan është duke shpresuar se paqëndrueshmëria dhe dhuna politike do të inkurajojë votuesit që ta rikthejnë AKP në pushtet dhe të përqafojnë një udhëheqës të hapur.
Partitë e opozitës po shpresojnë në një reagim të ashpër të votuesve. Mesazhet e tyre në fushatën elektorale janë përqendruar në argumentin se presidenti po ushqen dhunën politike për të trembur votuesit në mënyrë që ata ta mbështesin atë.
Opozita akuzon Erdoganin për përçarje të Turqisë
Udhëheqësi i Partisë Demokratike Popullore, HDP, ka akuzuar presidentin Erdogan se ai qëllimisht po përdor gjuhën përçarëse, ka shtuar gjuhën konfrontuese dhe po përpiqet të frikësojë turqit.
“Njerëzit janë ndarë sipas partive, vendlindjes, sekteve, identiteteve dhe komuniteteve fetare. Qeveria e ka bërë këtë. … Në të kaluarën, ne jemi akuzuar se kemi qenë separatist. Tani, HDP është duke u përpjekur të bashkojë njerëzit. Ne jemi një antidot për helmin. Popullit të Turqisë u është dhënë helm dhe në qoftë se ne nuk mund të veprojmë si një antidot kundër tij, në vend mund të shpërthejë lufta civile “, paralajmëroi Demirtash në një intervistë të botuar të hënën në një nga gazetat.
Zoti Demirtash gjithashtu kritikoi qeverinë e AKP-së për përpjekje për të devijuar vëmendjen nga ajo që ai pretendon se ishte neglizhencë e sigurisë në Ankara që e bëri të mundur sulmin në një tubim paqësor në kryeqytet në fillim të këtij muaji, ku u vranë 102 persona.
Dy sulmues vetëvrasës kanë qenë të lidhur me grupin terrorist të Shtetit Islamik, por Erdogan ka akuzuar shumë organizata terroriste, përfshirë Shtetin Islamik dhe separatistët kurdë si përgjegjës të përbashkët për sulmin, që udhëhqësi i HDP-së thotë se është një pjesë e rrjetit konspirativ të AKP-së. Kryeministri dhe presidenti e kanë fjalën për grupe që kurrë nuk do të bashkoheshin dhe thonë se :” Ata u bashkuan dhe kryen një sulm kundër Turqisë”. (voa)