Pas vendimit të Parlamentit Europian për ngrirjen e negociatave me Turqinë, presidenti turk, Erdogan kërcënon me hapjen e kufijve për refugjatët.
Do të hapim kufijtë, ka thënë presidenti turk, Recep Tayyip, po qe se Europa vazhdon të na kërcënojë. Por është vetë Erdogan që ka kërcënuar Bashkimin Europian me prishjen e marrëveshjes për refugjatët. “Po qe se shkoni më larg, do të hapen portat e kufirit”, tha Erdogan të premten (25.11) në Ankara. Ai reagoi ndaj rezolutës së Parlamentit Europian për ngrirjen e negociatave të anëtarësimit me Turqinë, megjithëse një rezolutë jo e detyrueshme.
“Kur 50.000 emigrantë të arrijnë Kapikulën (qytet në kufi) ju mos u qani. Çfarë do bëjmë ne, nëse Turqia hap kufijtë, vrisni mendjen ju. Shikoni këtu, nëse kjo vazhdon më tej, këto porta do të hapen, ju duhet ta dini këtë. As unë dhe as ky komb nuk i bëhet vonë nga kërcënimet boshe”, tha Erdogan në një fjalim në Stamboll në adresë të Parlamentit Europian. Turqia ka pranuar 3 milionë refugjatë nga Siria dhe është një nga vendet kryesore tranzit për emigrantë nga Azia dhe Afrika që duan të hyjnë në Europë. Erdogan akuzoi BE se nuk ka qenë asnjëherë e drejtë. “Ju nuk jeni treguar asnjëherë të ndershëm kundrejt njerëzimit.” Pakti me refugjatët i miratuar në mars 2016, parashikon që Europa t’i kthejë në Turqi, emigrantët e hyrë ilegalisht nga Turqia në ishujt grekë. Turqia merr mbështetje financiare nga BE për paktin. Kundrejt kësaj BE ka premtuar se pas plotësimit të 72 kritereve, ajo do të liberalizojë vizat me Turqinë. Procesi ka ngecur në refuzimin që Turqia i bën ndryshimit të ligjeve antiterror në vend, kriter i kërkuar nga BE.