Erdogan: Turqia po e humbet durimin me inkursionet ruse

bombarduesNATO-ja hodhi poshtë sot shpjegimin e Moskës se aeroplanët e saj e shkelën hapësirën ajrore të Turqisë gabimisht dhe tha se Rusia po dërgon më shumë trupa tokësore në Siri. NATO-ja i ka cilësuar incidentet si “jashtëzakonisht e rrezikshme” dhe “të papranueshme”.

Ndërkohë që Rusia i ka zgjeruar sulmet ajrore, duke përfshirë edhe qytetin e lashtë Palmyra, Presidenti turk Recep Tajip Erdogan tha se po e humbet durimin me shkeljet e hapësirës ajrore të vendit të tij nga Rusia.

“Një sulm mbi Turqinë do të thotë një sulm ndaj NATO-s,” tha zoti Erdogan në një konferencë të përbashkët shtypi në Bruksel me kryeministrin belg.

“Marrëdhëniet tona pozitive me Rusinë janë të njohura. Por, nëse Rusia humbet një mik si Turqia, me të cilin bashkëpunon për shumë çështje, ajo do të humbasë shumë,” tha zoti Erdogan.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se aleanca ka njoftime për një shtim të ndjeshëm të forcave ushtarake ruse në Siri, duke përfshirë trupa tokësore dhe anije në Mesdheun lindor.

 

Duke folur për inkursionet ajrore në kufirin e Turqisë me Sirinë, zoti Stoltenberg tha:

“Nuk do të shpreh hamendje mbi motivet …, por këto nuk duken si aksidente dhe kemi parë dy të tilla.” Ai vuri në dukje se inkursionet “zgjatën për një kohë të gjatë”.

Incidentet, të cilat NATO-ja i ka quajtur “jashtëzakonisht të rrezikshme” dhe “të papranueshme”, nxjerrin në pah rrezikun e një shkallëzimi të mëtejshëm të luftës civile në Siri, ndërkohë që avionët rusë dhe amerikanë kryejnë misione luftarake mbi të njëjtin vend për herë të parë që prej Luftës së Dytë Botërore .

Zoti Stoltenberg nuk pranoi të komentojë nëse avionët rusë kishin drejtuar radarët e tyre mbi avionët turq F-16 të dërguar të shtunën për të shoqëruar avionët rusë jashtë hapësirës ajrore.

Përdorimi i radarëve në këto raste zakonisht është një prelud për hapje zjarri.

Dje, Departamenti amerikan i Shtetit tha se inkursion i një avioni luftarak rus në hapësirën ajrore turke ishte i papërgjegjshëm, i rrezikshëm dhe provokues.

“Inkursioni në hapësirën ajrore turke flet për rëndësinë e konsultimit dhe të frenimit. Ne e shohim këtë si një akt të papërgjegjshëm,” tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Mark Toner.

Ai tha se kjo është e rrezikshme, provokuese dhe mund të shkaktojë aksidente. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>