A është kjo një lëvizje politike shahu në përpjekjet me BE-në apo fshihet diçka më shumë pas kësaj? Pas hapjes së kufirit në drejtim të BE-së, presidenti turk vendos tani një barrierë në një pozicion tjetër.
Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan e ka urdhëruar truprojën bregdetare të mos lejojnë më refugjatë e migrantë me anije për të kaluar përmes detit Egje. Me këtë ai ka parasysh arratinë drejt ishujve grekë, pra drejt Europës. Në një deklarim të rojeve kufitare në internet thuhet, se duke iu referuar presidentit: “Kalimet ilegale të migrantëve përmes detit Egje nuk lejohen për shkak të rrezikut (…).” Ministri i Brendshëm do të mbrikqyrë zbatimin e kësaj urdhërese.
Por kjo masë nuk do të thotë tërheqje nga deklarata e një jave më parë për hapjen e njëanshme të kufirit drejt BE-së. Sepse në deklaratë tërhiqet vëmendja, që “parimi i mosndërhyrjes, kur migrantët duan të largohen ilegalisht nga vendi “, vazhdon të jetë në fuqi. Për shkak të rrezikut të jetës lundrimet në det megjithatë përjashtohen”. Roja bregdetare turke gjithashtu akuzon Greqinë, se po i le në mëshirë të fatit refugjatët dhe migrantët në Egje. Kësisoj rojeve turke iu desh të shpëtojnë para dy ditësh 97 migrantë që rrezikonin të mbyteshin.
Pas sulmeve masive ndaj ushtarëve turq në Idlib në veri të SIrisë, të shtunën e kaluar Erdogan deklaroi, se kufiri është i hapur dhe Turqia nuk do të kujdeset më për numrin e madh të refugjatëve në vend. Ankaraja ka pranuar më shumë se 3,6 milionë refugjatë nga Siria. Po ashtu në Turqi jetojnë edhe shumë migrantë e refugjatë nga Afganistani dhe vende të tjera. Pas deklaratës së presidentit mijëra vetë morën rrugën drejt kufirit greko-turk. Vazhdimisht ndodhin përplasje me ushtarët dhe rojën kufitare greke, që duke përdorur gazin lotsjellës synojnë t’i sprapsin refugjatët. Ushtria turke, sipas njoftimeve të medieve greke, rregullisht i ka nxitur migrantët që të kalojnë ilegalisht kufirin në drejtim të BE-së. Televizioni shtetëror ERT shfaqi pamje, në të cilat shihet, se si ushtarët turq i nxisin njerëzit me të shtyra e shqelma drejt kufirit grek.
Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis theksoi, se „ne kemi të drejtë të mbrojmë kufirin tonë sovran”. Sipas të dhënave nga Athina deri tani janë penguar ta kalojnë kufirin gati 39.000 vetë. Marrëveshjen e negociuar më 2016 mes BE-së dhe Turqisë ai e quajti „të vdekur”, sepse presidenti turk po e hkel atë në tërësi.
Erdogan kërkoi gjatë një telefonate me kancelaren Angela Merkel, që marrëveshja të ripunohet. Marrëveshja për refugjatët nuk funksionon më në formën aktuale, mësohet sipas të dhënave nga Ankaraja.
Erdogani të hënën në Bruksel
Të hënën presidenti turk pritet për bisedime me përfaqësuesit e BE-së në Bruksel. Vizita bëhet me ftesë të presidentit të Këshillit të BE-së, Charles Michel, njofton gazeta “Die Welt”. Në takim do të shqyrtohet situata aktuale në kufirin me Greqinë si dhe një orientim i ri i raporteve mes BE-së dhe Turqisë.
Komisari i BE-së për Buxhetin, Johannes Hahn, në prag të takimit bëri të ditur, se „ne presim, që Ankaraja ta ndërpresë politikën e presionit duke dërguar refugjatët në drejtim të BE-së.” Ai njëkohësisht tërhoqi vëmendjen, që BE-ja edhe në të ardhmen është e gatshme të lëvrojë pagesa ndihme për këtë qëllim, por shuma do të jetë më e ulët se sa ajo e neogociuar para katër vjetësh. Ndërkohë janë hapur në Turqi shumë kopshte, shkolla e spitale për refugjatët dhe këto nuk duhet të financohen sërish. “Nevoja është gjithashtu më e ulët tani “, tha Hahn.
se/kle (rtr, dpa, afp, ap)