Qeveritë e vendeve europiane sot po përpiqen të kuptojnë domethënien e komenteve që bëri presidenti i zgjedhur amerikan në një intervistë gjatë fundjavës me dy gazeta europiane. Pikëpyetja e tyre është në se komentet e zotit Trump do të përkthehen në politika të reja ndaj alenatëve.
Udhëheqësit Europianë patën shpresuar se me afrimin e inaugurimit të presidentit të ri amerikan, zoti Trump do t’i zbuste kritikat e shprehura gjatë fushatës së tij elektorale në drejtim të Bashkimit Europian dhe NATO-s, që ai e ka kritikuar si një aleancë “të vjetëruar.”
Por zoti Trump i përsëriti kritikat e tij ndaj NATO-s dhe BE-së në intrevistat për gazetën britanike Sunday Times dhe atë gjermane Bild.
Komenti i Donald Trumpit ndaj NATO-s bie në kundërshtim me atë të sekretarit të mbrojtjes gjatë seancës për konfirmimin e tij disa ditë më parë, tha minsitri i jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier.
Disa udhëheqës europianë po preferojnë të mos shprehen paraprakisht. Kancelarja gjermane Angela Merkel, për shembull, tha se do të kërkojë të arrijë në marrveshje me presidentin e zgjedhur të Shteteve të Bashkuara Donald Trump pas betimit të tij, por këmbënguli se Evropa do të ndjekë rrugën e saj pavarësisht diferencave me udhëheqësin e ri amerikan. (voa)