Shumë vende të Bashkimit Europian iu bashkuan të hënën SHBA-ve për të dëbuar dhjetra diplomatë rusë në një kundërpërgjigje të koordinuar për helmimin më 4 mars në Britani me lëndë kimike nervore të një ish agjenti të dyfishtë rus. Qeveria britanike ia ka hedhur fajin Rusisë dhe ka akuzuar Kremlinin se ishte ai që e ka miratuar helmimin.
Dëbimet e koordinuara – të pashembullta që nga Lufta e Ftohtë – u dënuan menjëherë nga Kremlini, i cili paralajmëroi se do të përgjigjej me të njëjtën monedhë. Dëbimet e para të diplomatëve rusë u njoftuan në Uashington. Administrata Trump tha se ka urdhëruar largimin e 60 rusëve, e ndjekur nga Gjermania, e cila urdhëroi dëbimin e katër diplomatëve.
Holanda dëboi dy diplomatë rusë; Estonia urdhëroi atasheun rus të mbrojtjes të largohet; Republika Çeke njoftoi se po dëbonte tre punonjës të ambasadës ruse.
Lituania tha se po dëbon tre diplomatë rusë dhe po ndalon 44 zyrtarë të tjerë rusë të hyjnë në vend. Letonia tha se po heq një diplomat rus. Franca njoftoi se po dëbon katër diplomatë rusë. Ministri i jashtëm i Polonisë tha se katër diplomatë rusë janë dëbuar.
Në Bruksel, presidenti i Këshillit Europian Donald Tusk tha se gjithsej 14 vende anëtare të BE-së po marrin pjesë në këtë ndëshkim kolektiv. Ai tha se në ditët në vijim mund të ndërmerren veprime të mëtejshme.
BRITANIA PËRSHËNDET VEPRIMET E ALEATËVE
Kryeministrja britanike Theresa May tha: “Ne mirëpresim veprimet e sotme të aleatëve, që tregojnë qartë se ne të gjithë qëndrojmë krah për krah duke i dërguar një sinjal mjaft të fortë Rusisë se ajo nuk mund të vazhdojë të shkelë drejtën ndërkombëtare.” Ajo e përshkroi vendimin si dëbimin më masiv të oficerëve rusë të zbulimit në histori.
Sekretari i jashtëm britanik Boris Johnson shkruante: “Përgjigja e jashtëzakonshme ndërkombëtare e sotme nga aleatët tanë hyn në histori si dëbimi më i madh kolektiv i oficerëve të inteligjencës ruse dhe do të ndihmojë në mbrojtjen e sigurisë sonë të përbashkët. Rusia nuk mund të shkelë rregullat ndërkombëtare pa u ndëshkuar”.
Tony Brenton, ish-i dërguar britanik në Moskë, tha se, sipas tij, dëbimet do të trondisin Moskën, duke shtuar se Kremlini dukej se kishte llogaritur se britanikët do të merrnin thjesht një mbështetje me fjalë nga aleatët, por jo më tepër.
REAGIMI I KREMLINIT
Deri në mbrëmjen e së hënës, më shumë se 100 diplomatë rusë kishin marrë urdhra largimi, u njoftua në Moskë.
Që para se të fillonin dëbimet, zëdhënësja e ministrisë së jashtme ruse Maria Zakharova u kundërpërgjigj në Facebook, duke thënë se vendet perëndimore po vepronin si vasale të bindura, të etura për të bërë punën e Londrës.
Zyrtarët e Kremlinit thanë se Presidenti Putin do të vendoste se si do të përgjigjej, por se do të tregohej “simetrik” në veprimet e tij.
Vladimir Dzhabarov, zëvendëskryetar i komisionit të punëve të jashtme në dhomën e sipërme të parlamentit rus, i tha agjencisë shtetërore të lajmeve RIA se Putini do të përgjigjej duke urdhëruar largimin e së paku 60 punonjësve të misioneve diplomatike të SHBA-së në Rusi.
Privatisht, disa zyrtarë rusë pranuan se ishin të befasuar nga përmasat e kundërpërgjigjes perëndimore, duke u ankuar se britanikët nuk kishin provuar ende se Kremlini kishte gisht në helmimin e Sergei Skripalit, një agjent rus i rekrutuar nga MI6 e Britanisë, dhe të vajzës së tij.
Javën e kaluar, në një takim të krerëve të BE-së, britanikët morën mbështetje të fortë dhe të papritur diplomatike. Vendet e BE-së ranë dakord me pikëpamjen e Britanisë se me shumë gjasë Rusia qëndronte pas helmimit me agjent nervor. Pas kësaj, shanset për një kundërpërgjigje kolektiv u rritën.
Britania dëboi 23 diplomatë rusë pas helmimit. Rusia u përgjigj duke hequr të njëjtin numër diplomatësh britanikë.
DISA VENDE HEZITOJNË
Disa vende të tjera, duke përfshirë Austrinë, Greqinë dhe Italinë, me synimin për të ruajtur marrëdhëniet me Rusinë, shfaqën hezitim për të marrë pjesë në hakmarrjen kolektive.
Krisjet brenda burokracive të BE-së dolën në pah javën e kaluar, kur presidenti i Këshillit të BE-së, Donald Tusk, nuk e uroi Vladimir Putinin për rizgjedhjen si president, ndërsa presidenti i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker i dërgoi atij një letër urimi.
Me shtimin e dëbimeve, sekretari britanik i mbrojtjes, Gavin Williamson, tha se mbështetja perëndimore ndaj Britanisë ishte “në vetvete një humbje për presidentin Putin.” Duke folur gjatë një vizite tek ushtarët britanikë të stacionuar në Estoni, ai tha: “Durimi i botës ndaj presidentit Putin dhe veprimeve të tij po arrin aty ku nuk mban më, dhe vendet anëtare të NATO-s e në Bashkimin Evropian, janë ngritur në mbështetje të Mbretërisë së Bashkuar. Në fakt mendoj se kjo është përgjigja më e mirë që mund të japim.”
Qeveria ruse u përgjigj menjëherë, duke thënë se akuzat e Britanisë për sulmin me agjent nervor ndaj ish-spiunit të dyfishtë “mund të krahasohen gati me banditizëm”.
Në janar 2017, Putini urdhëroi dëbimin e 755 diplomatëve amerikanë pas miratimit nga Kongresi të një ligji që shtonte sanksionet ndaj Rusisë për aneksimin e Krimesë dhe për ndërhyrjen në zgjedhjet amerikane.
Ambasada e Rusisë në kryeqytetin e SHBA, u përpoq të dielën të shmangte vendimin amerikan, duke i kërkuar Shtëpisë së Bardhë të mos e besonte atë që ajo e quante “propagandë britanike për helmimin e Skripalit.
Ja vendet që po dëbojnë diplomatë rusë dhe numri i të dëbuarve:
SHBA 60
Britani 23
Shqipëri 2
Kanada 4
Ukrainë 13
Francë 4
Gjermani 4
Poloni 4
Lituani 3
Çeki 3
Itali 2
Holandë 2
DanImarkë 2
Suedi 1
Letoni 1
Estoni 1
Finlandë 1
Rumani 1
Kroaci 1
Maqedoni 1
(voa)