Tesla ka hapur një fabrikë të madhe në shkretëtirën e Nevadës, ndërtimi i së cilës ka kushtuar 5 miliardë dollarë. Fabrika ka kapacitet për të dyfishuar prodhimin global të baterive me litium. Kjo është një lëvizje e guximshme e kompanisë, e cila po shpreson të ulë koston e prodhimit të baterive me mbi 30 përqind.
Është një investim nga më të rrezikshmit deri më tani për kompaninë e prodhimit të makinave elektrike Tesla. Fabrika gjigande në shkretëtirën e Nevadës ka kushtuar 5 miliardë dollarë dhe do të bëhet qendër e prodhimit të baterive me litium.
Fabrika e Teslës u përurua më 26 korrik në Sparks të Nevadës, pak më shumë se dy vjet pas fillimit të ndërtimit.
Fabrika mund të dyfishojë prodhimin e baterive me litium dhe jon në botë.
Vetëm rreth 14 përqind e fabrikës është gati për prodhim, por kur të përfundojë ndërtimi i plotë i saj, ajo do të jetë rreth 3 milionë 48 mijë metra katrorë, ose sa 262 fusha futbolli. Kjo do ta bëjë atë një nga ndërtesat më të mëdha në botë.
Fabrika është tepër e rëndësishme për të ardhmen e kompanisë me bazë në Kaliforni. Kompania 13-vjeçare e prodhimit të makinave elektrike, e cila nuk ka mbyllur asnjë vit me fitim, do të kalojë nga një prodhues i automjeteve luksoze në një prodhues të makinave të përballueshme.
Pjesë e kompanisë është edhe prodhimi i baterive për përdorim në shtëpi ose biznese, që arrijnë të grumbullojnë dhe ruajnë energjinë diellore për përdorim të mëvonshëm. Kompania thotë se prodhimi masiv i baterive me litium dhe jon për përdorim në shkallë të gjërë do të ndihmojë në uljen e kostos së baterive me 30 për qind deri në vitin 2018.
Drejtuesi i Teslës, Elon Musk, thotë se fabrika mund të punësojë 10.000 njerëz në tre deri katër vitet e ardhshme.
Shumica e tyre mund të punësohen menjëherë pasi Tesla ka nevojë për bateri për makinën e saj të katërt, Modelin 3.
“Gjërat janë në rrugën e duhur për të përmbushur kohën e prodhimit të Modelit 3 nga mesi i vitit të ardhshëm dhe ne jemi të kënaqur me atë që po ndodh tani”, thotë zoti Musk.
Me një çmim fillestar prej rreth 35 mijë dollarësh, Modeli 3 do të jetë makina me çmimin më të ulët e Teslës, pjesërisht për shkak të uljes së të kostos së baterisë.
Bateritë për automjetet aktuale të Teslës, Model S dhe Model X, prodhohen në Japoni. Për të realizuar qëllimet e saj, ndërtimi i fabrikës po vazhdon me një ritëm të furishëm.
“Qëllimi kryesor i Teslës është të përshpejtojë përdorimin e energjisë së rinovueshme, kështu që ne do të ndërmarrim një sërë veprimesh që ne mendojmë se kanë shumë gjasa të ndihmojnë në arritjen e këtij qëllimi,” thotë zoti Musk.
Deri në tremujorin e dytë të vitit 2017, 31 për qind e fabrikës do të jetë e përfunduar. Në çatinë e fabrikës do të vendosen panele diellore.
Tesla thotë se deri në vitin 2018, nga bateritë e fabrikës do të përftohet një sasi energjie prej 35 gigavatë-orësh, e barabartë me sasinë e energjisë së gjithë baterive të prodhuara në botë në vitin 2014.
Një gigavat-orë është e barabartë me një milionë kilovat orë. Dhe emri i fabrikës së Teslës është pikërisht “Gigafabrikë”.
Drejtuesi i Teslës, Elon Musk ka thënë se fabrika ka kapacitet për të prodhuar 150 gigavatë-orë në qoftë se është e nevojshme.
Për ta kuptuar këtë sasi, mjafton të sjellim si shembull se qyteti i Nju Jorkut përdor rreth 52 gigavatë-orë energji në vit.
Elon Musk gjithashtu doli në mbrojtje të sistemit autopilot të Teslës gjatë një konference shtypi. Ai theksoi se kjo veçori quhet autopilot, sepse pret që shoferi të jetë vigjilent dhe i gatshëm për të marrë përsipër drejtimin e makinës në çdo kohë, ashtu si pilotët avionit që përdorin të njejtën teknologji. (voa)