Facebook, nën kritika të ashpra

facebookKompania Facebook është vënë nën kritika të ashpra pas njoftimeve se një firmë që merret me të dhënat e votimeve kishte grumbulluar informacione nga 50 milionë përdorues të këtij gjigandi të medias sociale.

Ligjvënësit amerikanë po kërkojnë përgjigje ndërkohë që aksionet e Facebook-ut në bursë kanë humbur rreth 35 miliardë dollarë nga vlera e tyre.

Kreu i kompanisë, Mark Zuckerberg e pranon se Facebook-u bëri një gabim, por nuk kërkoi ndjesë. Michelle Quinn e Zërit të Amerikës na njeh me kërcënimet me të cilat përballet kompania.

Çmimi i saj i aksioneve ka rënë. Rregullatorët e tregut si dhe ligjvënësit në SHBA dhe Evropë kërkojnë përgjigje. Ka lindur ndërkohë një lëvizje e re: “Fshije Facebook-un”.

Gjigandi i mediave sociale me më shumë se 2 miliardë përdorues, është në vështirësi pas njoftimeve se të dhënat e 50 milion përdoruesve i janë dhënë një firme që ndihmonte fushatën presidenciale të zotit Donald Trump.

Sipas disa vëzhguesve, polemika e tanishme nxjerr në pah faktin se Facebook-u u ka lejuar të tjerëve qasje tepër të madhe tek të dhënat e përdoruesve.

“Facebook-u gjithmonë u ka dhënë shumë liri firmave të jashtme që krijojnë aplikacione, duke i lejuar të grumbullojnë shumë informacion, por pa i mbikqyrur mjaftueshëm. Si pasojë, kur njëra nga këto mijëra firma shfaq sjellje të keqe, përgjegjësia i ngelet në derë Facebook-ut,” thotë profesori Chris Hoofnagle.

Facebook-u ka kohë që e reklamon veten si një forcë që e bën botën më të lidhur dhe më demokratike. Në të njëjtën kohë, ai grumbullon sasi të mëdha të dhënash për njerëzit, të cilat mund të keqpërdoren për të minuar demokracitë.

Kritikët thonë se është çasti që të gjitha kompanitë e mediave sociale t’i rishikojnë me ndershmëri veprimet e tyre.

“Është e rëndësishme që kompanitë si Facebook-u të ndalen pak dhe të kuptojnë se janë zgjedhjet që ata bëjnë në strategjinë e tyre të dizajnit dhe të monetizimit që përcaktojnë pritshmëritë e përdoruesve të tyre. Kjo strategji nuk mund të vazhdojë më tej. Tani ato duhet të japin llogari për atë bënë vetë,” thotë Michelle de Mooy e Qendrës për Demokracinë dhe Teknologjinë.

Kreu ekzekutiv i Facebook-ut, Mark Zuckerberg foli për polemikat dje, duke u zotuar se do të auditojë mijëra aplikacione që përdorin të dhëna nga Facebook-u. Ai premtoi se firma do të mbrojë më mirë informacionin e përdoruesve. Por shumë gjëra do të varen nga ajo se sa do të mbahen këto premtime.

“Facebook-u ka qenë shpesh objekt polemikash në të kaluarën, shumë prej të cilave ka mundur t’i kalojë shpejt duke kërkuar ndjesë dhe duke ritheksuar vlerën e tij si mjet që e mban botën të lidhur. Por nëse njerëzit nuk e besojnë më këtë argument, Facebook-u do të ndodhej përballë një kërcënimi ekzistencial. Nëse ata e vënë gishtin te fenomene të tilla si Brexit, Trump apo Putin dhe thonë se ju vërtet po e lidhni botën por ajo po bëhet një botë më e keqe, atëherë mendoj se Facebook-u nuk i ka punët mirë,” thotë profesori Chris Hoofnagle.​

Për Facebook-un dhe 2 miliardë përdoruesit e tij, kjo është një sfidë e madhe. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>