Miliona njerëz në mbarë botën festuan së bashku të mbledhur në hapësira publike nën masa të forta sigurie. Megjithëse nuk pati incidente sigurie, në vende si Belgjika dhe Franca u anulluan shfaqjet e fishekzjarreve për shkak të kërcënimit të terrorizmit.
Nga Nju Jorku në Australi, miliona vetë u mblodhën për të festuar, përgjithësisht pa incidente dhe nën masa të forta sigurie.
Ndërsa globi i famshëm prej kristali u ul në Nju Jork, mijëra vetë mirëpritën vitin e ri në sheshin Times Square.
Festimet në Australi ndriçuan portin e Sidnei. Dhe në Japoni, tullumbace u lëshuan në ajër me fillimin e vitit të ri.
Në Belgjikë nuk u zhvilluan festimet, pasi autoritetet anulluan shfaqjen me fishekzjarre për shkak të frikës së terrorizmit.
“Mendoj se është një zmbrapsje para terrorizmit. Duhet të përballeshim dhe t’i kishim bërë festimet.”
Të tjerë besojnë se ndalimi i festimeve ishte vendimi më i mirë, për shkak të atmosferës së kërcënimeve globale terroriste dhe sulmeve vdekjeprurëse muajin e kaluar në Paris.
“Mendoj se është vendim i mençur. Me fishekzjarret krijohet shumë konfuzion. Unë jetoj këtu afër dhe mendoj se kështu është më mirë për arsye sigurie.”
Policia në Mynih të Gjermanisë urdhëroi evakuimin e dy stacioneve trenash pas një kërcënimi konkret natën e vitit të ri.
Fatmirësisht, nuk pati incident në asnjë prej tyre.
Shfaqja kryesore me fishekzjarre në bulevardin Champs-Elysees të Parisit u anullua, por autoritetet shfaqën një video tek Harku i Triumfit.
Presidenti francez Francois Hollande tha gjatë mesazhit për vitin e ri, se Franca ende nuk është çliruar prej terrorizmit dhe se kërcënimi vazhdon të jetë në nivelin më të lartë. (voa)