Figurat publike dhe Dokumentet e Panamasë

panamaSkandali pas nxjerrjes së Dokumenteve të Panamasë ka vënë para presionit presidentin e Argjentinës, pasi detyroi kryeministrin e Islandës të jepte dorëheqjen. Në Rusi, bashkëpunëtorë të afërt të Presidentit Vladimir Putin lakoheshin disa herë në këto dokumente për depozita në banka të huaja. Por nxjerrja e këtyre informacioneve nuk e ka tronditur Moskën.

 

Kryeministri i Islandës Sigmundur David Gunnlaugsson dha dorëheqjen këtë javë, kur u bë publik fakti që ai dhe bashkëshortja janë pronarë të një kompanie në Ishujt e Virgjër Britanikë.

Po shtohet presioni që të japë dorëheqjen edhe Presidenti i Argjentinës Mauricio Macri, i cili këmbëngul se nuk ka shkelur ligjin:

“Dua ta them përsëri se ndjehem shumë i qetë se kam respektuar ligjin, kam thënë të vërtetën dhe se nuk kam asgjë për të fshehur. Kam bërë një deklaratë paraprake për të theksuar se nuk jam aksioner dhe se në rolin e drejtorit nuk kam marrë asnjë pagesë. Kam bërë një betimin që ditën e parë që mora postin, por jo vetëm aq, kam dërguar të gjitha dokumentet e mia në zyrën e anti-korrupsionit”.

Presidenti Putin nuk del i implikuar në vepra penale nga Dokumentet e Panamasë. Por media njofton se një mik i tij, violinçelisti rus Sergei Roldugin, ka krijuar një perandori biznesesh me transaksione në llogari jashtë vendit, dhe se ky aktivitet mund të ketë lidhje me presidentin rus.

Putin i hodhi poshtë aludimet, duke shtuar se Roldugin është një muzikant i shkëlqyer dhe se është një aksioner i vogël në një kompani ruse:

“Ai zotëron një përqindje të vogël aksionesh në një prej kompanive tona dhe me atë nxjerr të ardhura. Por nuk bëhet fjalë për miliarda dollarë. Këto janë marrëzira, s’ka asgjë të tillë”.

Megjithë tonin sfidues të presidentit rus, Alexei Navalny, një figurë e njohur kundër korrupsionit në Rusi thotë për Zërin e Amerikës se priten pasoja serioze nga nxjerrja e dokumenteve.

Skandali ka tronditur edhe Kinën, pasi u mësuan afere të ndryshme nga disa figura të larta të elitës në vend. Nxjerrja e dokumenteve ndodh ndërkohë që udhëheqja kineze po zbaton një tjetër fushatë anti-korrupsion në vend, por që shpesh shërben për të spastruar radhët nga kundërshtarët.

Dje u lakuan emrat e dy politikanëve të lartë që mund të jenë të implikuar. Bashkëshortja e djalit të shefit të propagandës së Partisë Komuniste, Liu Yunshan ishte drejtoreshë e një firme investimesh në Ishujt e Virgjër. Ndërkaq, dhëndrri i Zëvendës Kryeministrit Zhang Gaoli ishte aksioner në tre kompani në Ishujt e Virgjër.

Analistët thonë se dokumentet mbështesin bindjen e shumë aktivistëve se fakti që e ashtu-quajtura “aristokracia e kuqe”, pinjollët e anëtarëve të partisë, ministrave dhe anëtarëve të byrosë politike nuk janë prekur nga fushatat anti-korrupsion, tregon se fushatat ishin të nxitura dhe të drejtuara nga Presidenti Xi Jinping.

Ministria e Jashtme kineze nuk ka pranuar të komentojë për informacionet e nxjerra. Pas publikimit të Dokumenteve të Panamasë, Kina ka kufizuar mundësinë e medias për të mbuluar skandalin. Media shtetërore i komentoi dokumentet si dëshmi e qëndrimit tendencioz të shtypit perëndimor kundër udhëheqësve jo-perëndimorë.

Firma panameze e implikuar në këtë skandal, Mossack Fonseca thotë se miliona dokumente të nxjerra nga aktiviteti i saj lidhur me llogaritë bankare të personaliteteve politike dhe individëve të fuqishëm, në vende të njohura si parajsa fiskale, nuk janë nxjerrë nga një punonjës i brendshëm, por janë vjedhur nga hakerë.(voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>