Qindra pasagjerë kanë nisur të dalin nga një anije e cila u vendos dy javë në karantinë në një port japonez, në një përpjekje për të frenuar përhapjen e koronavirusit të ri që u ka marrë jetën mbi 2 mijë vetëve në Kinë.
Rreth 500 pasagjerë pritet të zbresin nga “Diamond Princess” të mërkurën në Yokohama, atje ku anija ishte ankoruar prej mbërritjes së saj më 3 shkurt. Zyrtarët japonezë të shëndetësisë i futën të 3,700 pasagjerët dhe ekuipazhin e anijes në karantinë, pasi një prej pasagjerëve që kishte zbarkuar në Hong Kong u diagnostikua se ishte prekur nga COVID-19. Por kjo nuk e ndali përhapjen e virusit pasi 542 pasagjerë rezultuan të infektuar, çka e bën atë grupin më të madh të të prekurve të konfirmuar jashtë territorit kinez.
Pekini njoftoi të mërkurën se numri i vdekjeve si pasojë e COVID-19 ka mbërritur në 2,004 vetë. Shumica e vdekjeve janë raportuar në provincën Hubei.
Gjashtë persona jashtë territorit kinez kanë humbur jetën si pasojë e virusit, rasti më i fundit një burrë 70-vjeçar në Hong Kong, që përbën dhe rastin e dytë të vdekjes për këtë territor. Komisioni kinez për Shëndetin raportoi të mërkurën 1,749 raste personash të prekur nga virusi, numri më i ulët deri më tani për muajin shkurt, duke e çuar numrin e përgjithshëm të rasteve të konfirmuara në Kinë në 74,000 të infektuar.
voa