Fjalimi i Presidentit Trump drejtuar vendit dhe përgjigja e demokratëve

TrumpNë fjalimin e tij të dytë drejtuar vendit, Presidenti Donald Trump parashtroi një axhendë, ku u përfshinë thirrjet për bashkëpunim dhe unitet mes dy partive kryesore politike në Shtetet e Bashkuara. Por Presidenti u shpreh me kritika për ato që ai i cilësoi “hetime qesharake me ngjyra partiake” dhe i qëndroi fort kërkesës së tij për ndërtimin e një muri përgjatë kufirit jugor të vendit.

Presidenti Trump theu traditën, duke e filluar fjalimin e tij drejtuar vendit pa pritur prezantimin nga kryetarja demokrate e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi, me të cilën ai ka patur përplasje gjatë javëve të fundit.

“Ne duhet të hedhim poshtë politikat hakmarrëse, të kundërshtimit dhe ndëshkimit,”- tha Presidenti.

Siç është zakon, zoti Trump dha një listë të gjatë të arritjeve të tij.

“Nuk ka asgjë në botë që mund të konkurrojë me Amerikën.”- tha ai.

Por nuk vonoi t’i vinte radha imigracionit një çështje për të cilën Presidenti ka hasur në rezistencën e demokratëve, që vazhdojnë të kundërshtojnë kërkesën e tij për një fond prej $5.7 miliradë dollarësh për ndërtimin e murit me Meksikën.

“Në të kaluarën, pjesa më e madhe e njerëzve të kësaj Dhome kanë votuar për murin, por kurrë nuk u ndërtua muri i duhur. Unë kam për ta ndërtuar atë.”- tha zoti Trump.

Mosmarrëveshja për murin solli mbylljen e pjesëshme të qeverisë për 35 ditë. Nëse deri më 15 shkurt nuk arrihet një marrëveshje, rrezikon të ketë një mbyllje tjetër të qeverisë.

“Ai nuk u dha demokratëve asgjë nga ato që ata duan të dëgjojnë. Nuk u bëri ndonjë ofertë, nuk propozoi ndonjë kompromis. Unë mendoj që ai nuk ju afrua një zgjidhjeje.” – tha Todd L. Belt, nga Universiteti “George Washington”.

Ligjvënëset gra të Partisë Demokrate ishin veshur në mënyrë simbolike me të bardha, për të nderuar lëvizjen militante që u kurorëzua me të drejtën e grave për të votuar.

Pjesa më e madhe e tyre nuk duartrokitën gjatë fjalimit të Presidentit, me përjashtim të pjesës kur ai ofroi “degën e ullirit”, për t’i dhënë fund mosmarrëveshjeve dhe kur tha se sot, një shekull pas lëvizjes së grave për të drejtën e votës, një numër rekord grash janë të zgjedhura në Kongres.

Duke folur për politikën e jashtme, Presidenti Trump shprehu mbështetje për ndryshimin e regjimit në Venezuelë dhe mburri sukeseset e tij, si lufta tregtare me Kinën, tërheqja e Shteteve të Bashkuara nga traktati për armët bërthamore me Rusinë, pakësimi i tensioneve me Korenë e Veriut dhe vazhdimi i presionit ndaj Iranit.

Zoti Trump theksoi në fjalim elemente të axhendës dypartiake, si fuqizimi i infrastrukturës, lejet e paguara, ulja e kostos së shërbimit shëndetësor, çrrënjosja e virusit HIV që shkakton SIDË-n dhe kancerit tek fëmijët. Por ai po ashtu bëri thirrje për çështje të rëndësishme për bazën politike të partisë së tij, si ligjin për ndalimin e aborteve në fazat e avancuara të shtatzanisë dhe kritikoi hetimin mbi mundësinë e bashkëpunimit të fushatës së tij presidenciale me Rusinë në zgjedhjet e 2016-ës.

“Nëse duam paqe dhe miratimin e ligjeve, kjo nuk arrihet me luftë dhe hetime,”- tha Presidenti.

Përgjigjen e demokratëve ndaj Fjalimit të Presidentit për Gjendjen e Vendit, e dha Stacey Abrams, Kryetare e Demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve të shtetit Xhorxhia. Ajo foli për të drejtën e votimit:

“Duhet ta refuzojmë cinizmin, sipas të cilit të lejosh të numërohet çdo votë legjitime është ‘kapje e pushtetit’”.

Zonja Abrams parashtroi axhendën e partisë së saj, që nga barazia martesore, shërbimi shëndetësor, apo kundërvënia ndaj racizimit.

“Unë mendoj se mesazhi i zonjës Abrams, një grua me ngjyrë, e cila nuk vjen nga klasa politike është në fakt vizioni i Partisë Demokrate sot”- tha analistja Sherri Bebitch Jeffe.

Një tjetër moment i rëndësishëm i mbrëmjes, ndoshta për të parën herë gjatë një fjalimi drejtuar vendit, ishte kur ligjvënësit shpërthyen në këng për njërin prej të ftuarve të Presidentit, Judah Samet, një i mbijetuar i masakrës në Sinagogën e Pitsburgut, me rastin e 81-vjetorit të ditëlindjes.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>