Kuvendi i Republikanëve u mbyll të enjten mbrëma në Klivlend të Ohajos, me fjalimin e kandidatit për President Donald Trump, pika kulmore e një jave që pati momente befasuese dhe dramatike dhe që tregoi se ndasitë e krijuara nga fushata ende nuk janë zhdukur në Partinë Republikane.
Ngjitja e pazakontë e manjatit miliarder, pa përvojë politike në njërën prej dy forcave mbizotëruese politike në Shtetet e Bashkuara, duke u bërë kandidati i saj, është një rast i pashembullt në politikën amerikane.
Në fillim të fjalës së tij zoti Trump, tha se e pranonte emërimin me përulësi dhe me mirënjohje.
“Ne do të jemi një vend bujarie dhe ngrohtësie, por edhe një vend i ligjit dhe rendit”, tha ai.
Ai u prit me entuziazëm nga të pranishmit.
Shumë shpejt, ai u përqendrua tek rastet e dhunës në Shtetet e Bashkuara.
“Amerikanët që po shohin sot këtë fjalim, i kanë parë imazhet e dhunës të kohëve të fundit në rrugët tona dhe kaosin në komunitetet tona. Shumë kanë qenë personalisht dëshmitarë të dhunës dhe disa edhe viktima të saj. Kam një mesazh për të gjithë ju: Krimi dhe dhuna që sot ka prekur vendin tonë, do të përfundojë së shpejti. Që nga 20 janari 2017, do të vendoset siguria”.
Një pjesë e mirë e fjalimit të zotit Trump, ishte përqendruar tek sulmet ndaj rivales së pritshme të tij, Hillary Clinton. Madje kritikat e ashpra vinin në qendër njëkohësisht administratën e presidentit Obama dhe zonjën Clinton si pjesë e saj.
“Amerika është më pak e sigurt – dhe bota shumë më pak e qëndrueshme – sesa kur zoti Obama mori vendimin që të vinte Hillary Clintonin në krye të politikës së jashtme të Amerikës”, tha ai.
Ai shtoi se me siguri presidenti Obama është penduar për atë vendim.
“Instinktet e saj të dobëta, dhe gjykimi i saj i keq – diçka që e ka vënë në dukje edhe Bernie Sanders – kanë shkaktuar shumë nga katastrofat që po shfaqen sot”.
Ai premtoi se mund ta ndryshojë gjendjen dhe përcolli mesazhin se gjërat duhet të ndryshojnë.
“Përsa kohë të udhëhiqemi nga politikanë që nuk vënë Amerikën para së gjithash, atëherë vendet e tjera nuk do ta trajtojnë Amerikën me respekt. Kjo do të ndryshojë kur unë të marr detyrën”.
Ai tha se çdo ditë zgjohet i vendosur që të përmirësojë jetën për të gjithë qytetarët e vendit që ai tha se “janë neglizhuar, injoruar dhe braktisur”.
Toni i zotit Trump la të kuptohet se ai po përpiqet ta ndryshojë imazhin si një njeri me një retorikë të ashpër që është bërë objekt kritikash të shumta.
Por edhe më pak se 24 orë para fjalimit, ai ngjalli debate kur tha për gazetën New York Times, se do të vërë kushte për mbrojtjen e aleatëve të NATO-s ndaj një sulmi të mundshëm, një qëndrim që u kundërshtua menjëherë nga Uashingtoni dhe vende të tjera.
Përveç kësaj, refuzimi i Senatorit Ted Cruz për të mbështetur kandidaturën e zotit Trump, nxori në pah përçarjet dhe mosmarrëveshjet që ekzistojnë mes republikanëve.
Zoti Trump u prezantua nga vajza e tij, Ivanka, e cila paraqiti një anë më personale të tij dhe u tha të pranishmëve se ai do të luftojë për të gjithë.
Me përfundimin e Kuvendit Republikan në Klivlend, vëmendja zhvendoset tek kampi demokrat. Zonja Clinton mendohet se do të deklarojë emrin e personit që do të zgjedhë si kandidat për nënpresident këtë fundjavë.
Të hënën në Filadelfia, hapet Kuvendi i Partisë Demokrate ku zonja Klinton do të emërohet zyrtarisht si kandidate e partisë së saj. (dw)