Firma Ford ka thelluar luftën e çmimeve në tregun e makinave elektrike, ndërsa uli çmimin e makinës së tipit F-150 Lightning. Gjigandi amerikan po synon të shtojë praninë në tregun e makinave elektrike të dominuar prej vitesh nga firma Tesla.
Kompania Ford ka ulur çmimin e makinës së saj elektrike të modelit F-150 Lightning me rreth 17%, duke thelluar luftën e çmimeve me firmën Tesla. Kompania me qendër në Detroit shpreson të rrisë praninë në tregun e makinave elektrike të dominuar nga Tesla gjatë dekadës së fundit.
Vendimi vjen pak ditë pasi firma Tesla njoftoi se kishte prodhuar në fabrikën e saj në Austin makinën e parë për linjën e prodhimit të modelit Cybertruk, për të cilën ka vite që flitet.
Muaj më parë, Tesla filloi uljen e çmimeve të disa modeleve, duke çuar në rënien e shitjeve të makinave elektrike të kompanive të tjera. Tre muajt e fundit shitjet e makinave elektrike të Fordit ranë 2.8%. Tesla njoftoi rritjen e shitjeve në tremujorin e dytë.
Në fillim të vitit Fordi rriti çmimin e modelit elektrik F-150. Aktualisht firma Ford thotë se ulja e çmimit vjen si rezultat i përmirësimeve në fushën e prodhimit dhe rënies së kostos së lëndës së parë për prodhimin e baterive.
Fordi planifikon të trefishojë prodhimin e modelit Lightning në 150,000 automjete në vit. Çmimi i modelit bazë do të bjerë në rreth 50 mijë dollarë, ndërsa modeli më i plotë do të kushtojë rreth 92 mijë dollarë.
voa