Pas atentateve terroriste të Parisit, hetuesit informojnë për arrestimet e para. Gjurmët të çojnë edhe në Bruksel. Qeveria franceze do t’i vazhdojë sulmet ajrore kundër Shtetit Islamik.
“Abu Nabil dhe Xhihadi John u vranë”: Pentagoni informoi për goditje të suksesshme nga ajri me avionë F-15 ose me drona, kundër figurave kyçe të të ashtuquajturit “Shtet Islamik”. Edhe qeveria franceze deklaron që pas atentateve terroriste në Paris, ekstremistët e Shtetit Islamik do të ndiqen me të gjitha fuqitë dhe do të eleminohen. Presidenti Francois Hollande dhe kryeministri Manuel Valls i deklaruan luftë ushtrisë terroriste.
Kryeministri Valls i tha stacionit TF1: “Po, ne jemi në luftë”. Franca do të veprojë për ta shkatërruar këtë armik. “Prandaj ne do të marrim masa të jashtëzakonshme. Dhe këtë luftë ne do ta fitojmë”, shkroi kryeministri në twitter.
Franca në gjendje të jashtëzakonshme
Masakrat me deri tani 129 të vrarë dhe më shumë se 350 të plagosur ishin sipas hetuesve një aksion i komanduar i mbështetësve të xhihadistëve të Shtetit Islamik. Gjurmët e para të çojnë edhe në Belgjikë. Ndoshta atentatorët donin të shkakton një masakër edhe më të madhe. Sipas një informacioni të “Wall Street Journal” mund të ketë pasur përpjekje për një sulm edhe kundër stadiumit me 80.000 vetë, në të cilin luante kombëtarja gjermane kundër Francës. Sipas gazetës, njëri nga dorasit ka pasur një biletë për ndeshjen, por është ndaluar të futet në stadium.
Në internet u shfaq fillimisht një deklaratë e paverifikueshme, në të cilën IS e merrte përgjegjësinë për atentatet e së premtes në darkë. Në të thuhej: “një grup besnik i ushtrisë së Kalifatit (…) sulmoi kryeqytetin e përdaljes dhe vesit.” Francën e kërcënojnë më tej se “Ky sulm është vetëm pika e parë e shiut dhe një paralajmërim.”
Prokurori i Parisit, François Molins tha se terroristët patën përmendur gjatë kryerjes së masakrës Sirinë dhe Irakun. Në të dyja shtetet, Shteti Islamik zotëron territore të gjera. Franca ka ndërmarrë sulme ajrore kundër pozicioneve të ekstremistëve. Shtëpia e Bardhë bëri të ditur se këshilltarët e sigurisë të Presidentit Barack Obama nuk mendojnë se ka elementë që ta kundërshtojnë vlerësimin francez se përgjegjës për atentatet është Shteti Islamik.
Në masakrën që zgjati rreth gjysmë ore me sa duket grupe të ndryshme ekstremistësh qenë marrë vesh me njëri- tjetrin. “Ndoshta kemi të bëjmë me tre ekipe të koordinuara terroristësh, që mbajnë përgjegjësinë për këto akte barbare”, thanë hetuesit. Shtatë terroristë u vranë. Gjashtë e patën hedhur veten në erë, të shtatin e vranë.
Më parë qe bërë fjalë për tetë atentatorë. Ata patën përdorur automatikë të tipit Kalashnikov. Veç kësaj, ata patën veshur ekzaktësisht të njëjtat jelekë me lëndë shpërthyese, thotë Molins – “me synimin për të shkaktuar një numër maksimal viktimash duke vrarë veten.” Vetëm në sallën e koncertit “Bataclan” ata shkaktuan një masakër me 80 të vrarë.
Arrestimet e para
I pari që u identifikua nga atentatorët ishte 29 vjeçari Omar Ismail Mostefai. I riu i lindur në jug të Parisit ka qenë disa herë i dënuar për vepra të ndryshme penale dhe kishte rënë në sy për shkak të radikalizimit të tij, deklaroi prokuroria. Babai dhe vëllai i tij u morën në arrest të shtunën në mbrëmje, bëri të ditur agjencia franceze e lajmeve AFP duke iu referuar hetuesve.
Në Belgjikë, në një bastisje në lagjen e Brukselit Molenbeek u arrestuan disa vetë. Njëri prej tyre besohet se të premten në darkë ka qenë në Paris. Prokuroria nuk përmendi detaje. Autoritetet e Parisit kanë kërkuar në katër raste konkrete asistencë. Midis të tjerash fjala ishte për një automjet me qira të regjistruar në Belgjikë, i cili u gjet në afërsi të “Bataclan” në Paris.
Të maskuar si refugjatë?
Te njëri nga atentatorët u gjet një pasaportë siriane, bëri të ditur AFP që i referohet policisë. Sipas të dhënave zyrtare nga Athina, në fillim të tetorit poseduesi i pasaportës pati ardhur si refugjat nga Turqia në Greqi. Në cilat vende të tjera ka kaluar ai, kjo nuk dihet, bëri të ditur Ministria e Athinës për Mbrojtjen Civile. Radioja shtetërore greke ERT bëri të ditur se edhe një person i dytë, pjesëmarrës në atentatet terroriste ka mundësi që të ketë ardhur nga Turqia në Greqi.
Atentatet janë aktet terroriste më të rënda në Evropë që prej më shumë se dhjetë vjetësh. Në mars 2004, në disa atentate në trena në Madrid e humbën jetën 191 vetë dhe u plagosën rreth 2000 të tjerë – edhe këto atentate kishin lidhje me grupe islamike. Atentatet në Paris ndodhën vetëm dhjetë muaj pas atentatit ndaj gazetës satirike “Charlie Hebdo”. (dw)