Me nismën “Fridays for Future” suedezja 16 vjeçare, Greta Thunberg ka frymëzuar nxënësit në mbarë Europën të protestojnë për klimën. Synimi është vënia në lëvizje e politikanëve për mbrojtjen e klimës.
Ajo është vetëm 16 vjeç dhe ka arritur të flasë para vendimmarrësve më të mëdhenj të botës. Aktivistja për klimën Greta Thunberg nga Suedia çdo të premte proteston para parlamentit në Stokholm për një mbrojtje më të mirë të klimës. Ajo e bën këtë qysh nga gushti i viti të kaluar. Në sheshin para parlamentit është bërë ritual që të premteve nxënësit mblidhen të protesotjnë për klimën.
Greta Thunberg, thotë, se e kupton që është shumë e re dhe i duket absurde që fëmijët duhet të ndërmarrin diçka të tillë. Por ajo mendon, se e ka detyrim moral të bëj diçka, nëse të tjerët nuk veprojnë. Synimi i saj është të sensibilizojë politikën për të bërë ndryshim radikal lidhur me klimën. 16 vjeçarja u bë njohur me fjalimin e saj në Konferencën Ndërkombëtare për Klimën në Katovicë në Poloni. Videoja me fjalimin e saj ka bërë bujë në rrjetet sociale, duke u ndjekur nga miliona shikues.
Drejtësi për klimën! Tani!
Greta Thunberg apeloi madje edhe në Forumin Ekonomik të Davosit. Para disa vitesh ajo u diagnostikua me Asperger, një lloj autizmi. “Unë e shoh botën nga një tjetër perspektivë: bardhë e zi. Mua nuk më pëlqen kur disa njerëz kanë të drejtën të flasin dhe të tjerët duhet të veprojnë. E pikërisht kështu ndodh me çështjen e klimës”, thotë aktivistja e re.
Nisma e saj ka ngritur më këmbë dhjetëra mijë nxënës edhe në Belgjikë, të cilët marshojnë për klimën: Çfarë duam ne? Drejtësi për klimën! Kur e duam atë? Tani! Thërrasin nxënësit në Bruksel. Frymëzimi i tyre është Greta nga Suedia.
Anuna De Wever, nismëtare e lëvizjes në Belgjikë, thotë, se lëvizja e tyre nisi nga frymëzimi prej Gretës. Në Stokholm Greta Thunberg vazhdon ritualin e saj të protestës “Fridays for Future” çdo të premte dhe as që ka ndërmend të tërhiqet. Tani duhen vepra, thotë ajo. Vetëm kur të fillojmë të veprojmë, do të ketë shpresë për mbrojtjen e klimës.
dw