Gazetarët Pa Kufi: Liria e shtypit, kurrë më e rrezikuar

harta liria e shtypitOrganizata Gazetarët Pa Kufi tha të mërkurën se “liria e shtypit nuk ka qenë kurrë më në rrezik” në shkallë globale. Deklarata u bë në raportin vjetor të organizatës që përfshin indeksin e lirisë së shtypit.

Gazetarët Pa Kufi nënvizon në veçanti rastin e vendeve demokratike në përfundimet që nxjerr për lirinë e shtypit gjatë vitit të kaluar.

“Në deklarata revoltuese, ligje drakoniane, konflikte interesi, madje edhe përmes përdorimit të forcës fizike, qeveri demokratike po shtypin një liri që, parimisht, duhet të jetë një ndër treguesit kryesorë që dëshmojnë punën e tyre”.

Raporti thotë se kufizimi i lirisë së shtypit është më i dukshëm në vende ku “ka triumfuar modeli i qeverisjes nga një burrë i forte shteti me stil autoritar,” si Polonia, Hungaria dhe Turqia.

“Ritmet me të cilat demokracitë po i afrohen cakut të mundshëm është alarmues për të gjithë ata që e kuptojnë se, nëse liria e shtypit nuk është e sigurtë, asnjë nga liritë e tjera nuk është e garantuar,” thotë Sekretari i Përgjithshëm i organizatës, Christophe Deloire.

Në analizën e përgjithshme, 62% e vendeve të përfshira në raportin e sivjetshëm kanë rënie të lirisë së shtypit në indeksin e 2017.

Norvegjia, Suedia, Finlanda, Danimarka dhe Holanda renditen si vendet me lirinë më të madhe për gazetarët.

Korea e Veriut është në vend të fundit. Gazetarët Pa Kufi thotë se ky vend “vazhdon të mbajë popullatën në padije dhe terror. Pas Koresë së Veriut, nga fundi renditen Eritrea, Turkmenistani, Siria dhe Kina.

Vendet që shfaqin përmirësimet më të mëdha që nga raporti i 2016 janë Laosi, Pakistani, Suedia, Birmania dhe Filipinet. Rënia më e madhe është shënuar nga Arabia Saudite, Etiopia, Maldivet dhe Uzbekistani.

Raporti fajëson Presidentin Donald Trump dhe retorikën e tij gjatë fushatës presidenciale që shpesh vinte në shenjestër grupet mediatike duke e cilësuar punën e tyre si “lajme të rreme”.

“Gjuha e urrejtjes që përdoret nga bosi i ri në Shtëpinë e Bardhë dhe akuzat e tij për lajme të sajuara i kanë bërë më të pranueshme sulmet ndaj medias thuajse kudo në botë, përfshirë vendet demokratike”.

Shtetet e Bashkuara renditen të 43-tat në indeks, duke shënuar rënie nga vendi që zinin vjet. Britania, e cila vjet përmes referendumit vendosi të largohej nga BE, renditet e 40-ta.

“Ardhja e Donald Trumpit në pushtet në Shtetet e Bashkuara dhe fushata për Brexit në Britani u shoqëruan me sulme të hapura ndaj medias, një debat shumë toksik mbi punën e shtypit që e shtyu botën drejt një epoke të re dizinformimi, sulmesh për lajme të sajuara dhe konceptit të pas-vërtetës”.

Raporti thekson se rajonet e Lindjes së Mesme dhe Afrikës Veriore vazhdojnë të jenë më të rrezikshmet për punën e përditshme të gazetarëve; pas tyre renditen Evropa Lindore dhe Azia Qendrore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>