Presidenti amerikan Joe Biden priti të enjten në Shtëpinë e Bardhë, Kancelaren gjermane Angela Merkel. Të dy udhëheqësit theksuan partneritetin e fortë transatlantik dhe bashkëpunimin për një sërë çështjesh, por Uashingtoni dhe Berlini vazhdojnë të kenë qëndrime të ndryshme lidhur me gazsjellesin rus “Nord Stream 2”. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Patsy Widakuswara njofton.
Ishte një vizitë lamtumire për Angela Merkelin, e cila brenda pak muajsh do të tërhiqet nga politika, pasi ka shërbyer për 16 vite si Kancelare e Gjermanisë. Presidenti Joe Biden nuk i kurseu lëvdatat për të.
“Ju keni qenë një kampione e palëkundur e aleancës transatlantike dhe partneritetit Atlantik. Nën udhëheqjen tuaj, miqësia dhe bashkëpunimi mes Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara është forcuar gjithnjë e më shumë”, tha Presidenti Biden.
Dy udhëheqësit diskutuan rreth tërheqjes së trupave amerikane dhe të NATO-s nga Afganistani, si dhe çështje të tjera me përparësi, sikurse COVID-19, ndryshimet e klimës e sulmet kibernetike.
Por Uashigtoni dhe Berlini vazhdojnë të kenë qëndrime të ndryshme në lidhje me gazsjellësin “Nord Stream 2”, një projekt ruso-gjerman prej 11 miliardë dollarësh. Uashingtoni beson se projekti do të rrisë varësinë e Evropës tek gazi natyror rus, e do t’i krijojë mundësi Moskës, të ushtrojë presion mbi vendet e dobëta të Evropës Lindore, veçanërisht ndaj Ukrainës.
Por kancelarja gjermane u zotua për një front të bashkuar kundër agresionit rus.
“Kemi vlerësime të ndryshme rreth asaj se çka paraqet ky projekt. Por më lejoni të them shumë qartë, ideja jonë është dhe mbetet që Ukraina të vazhdojë të jetë një vend tranzit për gazin natyror, se Ukraina, ashtu si çdo vend tjetër në botë, ka të drejtën e sovranitetit territorial”, tha ajo.
Kohët e fundit Presidenti Biden i hoqi sanksionet ndaj kompanive gjermane të përfshira në projektin “Nord Stream 2”, një vendim që shkaktoi zemërim tek demokratët dhe republikanët në Kongres.
“Kur unë mora detyrën e presidentit, projekti ishte 90 për qind i përfunduar dhe vendosja e sanksioneve nuk dukej se kishte ndonjë kuptim. Kishte më shumë kuptim të punoja me kancelaren, për të gjetur mënyra se si do të vepronte ajo, nëse Rusia do të shantazhonte në një farë mënyrë Ukrainën“, tha Presidenti Joe Biden.
Lidhur me çështjen e Kinës, dy udhëheqësit u zotuan për një reagim ndaj rasteve të shkeljes së të drejtave të njeriut nga ana e Pekinit, por ata nuk ranë dakord mbi marrëdhëniet ekonomike. Nën zonjës Merkel, lidhjet tregtare gjermane me Kinën, janë thelluar.
Por pavarësisht diferencave, marrëdhëniet dypalëshe duken më të ngrohta pas një periudhe marrëdhëniesh të trazuara të Kancelares Merkel me ish-Presidentin Donald Trump.
Gjatë kohës kur ishte President, zoti Trump, refuzoi t’i shtrëngojë dorën zonjës Merkel në vitin 2017, duke u përplasur për çështje sikurse ajo e kontributin financiar të vendeve aleate të NATO-s mbi mbrojtjen, multilateralizmin si dhe çështje të tregtisë.
“Ka një rreshtim të ri në një linjë mes Shteteve të Bashkuara dhe Gjermanisë. Kjo do të jetë e rëndësishme për të ardhmen sepse ndërsa Britania e Madhe është larguar nga Bashkimi Evropian, tashmë Gjermania në mënyrë të veçantë është fuqia qendrore e Evropës. Dhe bashkëpunimi me fuqinë qendrore të Evropës, do të jetë e rëndësishme për interesat amerikane“, thotë Dan Hamilton, i Qendrës Wilson.
Të dy udhëheqësit ritheksuan edhe rëndësinë e integrimit të mëtejshëm të Ballkanit Perëndimor në institucionet evropiane.
Përpara vizitës së zonjës Merkel në selinë e kompanisë farmaceutike Pfizer në Nju Jork, protestues të mbledhur përpara godinës, kërkuan heqjen e kufizimeve mbi patentat e vaksinave kundër koronavirusit. Presidenti Biden e mbështet këtë ide, ndërsa zonja Merkel argumenton se një gjë e tillë do të dëmtonte kërkimin shkencor.
voa