Gjermania arrin rekord të ri me afro 30 000 infektime dhe 600 të vdekur në ditë

Intensivstation UniklinikKancelarja do të këshillohet me kryeministrat e landeve për mbyllje më të fortë.

29 875 infeksione të reja me koronavirus dhe 598 vdekje janë regjistruar në Gjermani vetëm nga e enjtja në të premte, bën të ditur Instituti Robert Koch (RKI). Në total deri tani janë sëmurur 270 000 vetë me virusin dhe 20 970 kanë vdekur.

Është  dita e dytë radhazi që shifrat e infektimeve brenda natës shënojnë rekord dhe hera e dytë në dy ditë kur numërohen gati 600 vdekje në ditë. Shefi i Instituti Robert Koch, Lothar Wieler, e përshkroi të premten, 11.12., situatën si “jashtëzakonisht delikate”. Ai tha se tani rritja e numrit të infektimeve të reja mund të bëhet sërish  eksponenciale. Dhe kërkoi që të mos hiqen kufizimet ekzistuese as edhe gjatë krishtlindjeve.

Vala e dytë vazhdon

Nga data 2 nëntor Gjermania ndodhet në një mbyllje të lehtë. Janë  mbyllur shërbimet në restorante, baret, palestrat, teatrot e operat dhe njerëzit janë këshilluar të punojnë sërish nga shtëpia dhe të mos bëjnë udhëtime të panevojshme. Por masat rezultuan pa efektin e dëshiruar. Autoritetet shëndetësore në vend kanë kohë që nuk janë në gjendje të gjurmojnë zinxhirin e infektimeve. Ndërkohë që repartet intensive po mbushen dhe në disa vende spitalet e kanë arritur maksimumin e kapaciteteve.

Dr. Tobias Kurth, epidemiolog dhe drejtor i Institutit të Shëndetit Publik në Charité të Berlinit, i tha DW se rritja ishte “alarmante” dhe se Gjermania tani “duhej të kalonte në një mbyllje të fortë”.

“Nuk mund të presim deri sa të kalojnë Krishtlindjet,” tha ai. “Nëse udhëtojmë në të gjithë vendin për të parë anëtarët e familjes, do ta shtojmë rrezikun e infektimeve. Ne nuk mund ta përballojmë këtë”.

Landet fillojnë mbylljet 

Kancelarja Angela Merkel pritet të mblidhet të dielën, 13 dhjetor, me udhëheqësit e 16 shteteve federale për të diskutuar për një përgjigje më të rreptë ndaj rritjes së shifrave. Disa lande si Saksonia, Baden Vyrtembergu, Bavaria etj. kane filluar qe tani të bëjnë të njohur planet e tyre për mbyllje. Baden Vyrtembergu do të nisë qysh javën e ardhshme me shtetrrethim. Tyringeni  ka paralajmëruar se do të mbyllë dyqanet dhe  shkollat, mësimi do të vijojë në distancë.

Ndërsa Saksonia ishte shteti i parë federal që iu kthye mbylljes së fortë, si në pranverë: Nga e hëna shkollat, kopshtet, qendrat e kujdesit pas shkollës dhe pjesë të mëdha të dyqaneve do të mbyllen, siç njoftoi Kryeministri Michael Kretschmer (CDU). Kufizimet do të jenë në fuq deri më 10 janar.

Pritet një vendim për gjithë Gjermaninë

Kryeministri i Bavarisë, Markus Soeder, është për një zgjidhje mbarë federale. Për Bavarinë ai ka shpallur gjendjen e katastrofës si në prill. Kështu, nga e mërkura e tutje duhet të kesh një shkak të arsyetuar për të dalë nga shtëpia, nuk lejohesh të konsumosh alkool në publik.

Në një fjalim të mërkurën në Bundestag, shefja e qeverisë federale, Angela Merkel, u ishte lutur gjermanëve të zvogëlonin kontaktet dhe paralajmëroi se do të pendoheshin nëse këto do të ishin krishtlindjet e fundit me gjyshërit e tyre. Ajo tha se duhej bërë sforcoja e fundit, derisa çdokush të ketë mundësi të vaksinohet.  Por ajo shtoi, se gjendja mund të qetësohet ndoshta pas muajit mars.

dw

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>