Ministrja gjermane e Punës, Andrea Nahles është e bindur: Qytetarët nga BE do duhet të presin me vite derisa të aplikojnë në Gjermani për ndihma sociale. Ligjvënësi ka si detyrim të mbyllë boshllëqet ligjore.
Asnjë qytetar i Bashkimit Europian nuk duhet të zhvendoset në Gjermani për shkak se në këtë vend ofrohen ndihma zemërgjera sociale. Me këtë synim e ka dërguar Andrea Nahles, ministrja e Punës një projektligj në zyrën e kancelares, tha ajo në Berlin. Qëllimi: Pretendimi i të huajve nga 28 vendet anëtare të BE-së për ndihma sociale do duhet të reduktohet dukshëm. Ministria e Punës reagon me këtë pas “paqartësive” të shkaktuara nga vendimet e Gjykatës Federale për Çështjet Sociale.
Para disa muajsh kjo gjykatë kishte dhënë pretencën, se të huajt nga vendet e BE -së, në bazë të juridiksionit aktual kanë të drejtë për marrjen e ndihmave sociale pas një qëndrimi gjashtëmujor në Gjermani, pavarësisht nëse dikush ka punuar ose jo në këtë vend. Ligji i planifikuar nuk do të thotë “ndryshim i status-quosë”, por bëhet fjalë për të krijuar një praktikë ligjore të re, solide nga ana ligjore dhe që pengon fluksin e të varfërve të BE-së në sistemet sociale.
Sipas Nahles masat e kërkuara janë “preventive për të mbyllur boshllëqet që mund të dalin dhe të rëndojnë komunat”. Në të ardhmen qytetarët e BE-së përjashtohen nga ndihma sociale dhe asistenca e kategorisë “Hartz IV”, po qe se më parë ata nuk kanë arritur t’i kenë këto të drejta.
Pesë vjet afat
Plani i ministres së Punës i siguruar nga “Funke Medien Gruppe” parashikon që qytetarët e BE-së të kërkojnë të drejtën për ndihmat sociale vetëm pas pesë vjetësh. Kjo po qe se ata në këtë kohë nuk kanë marrë ndihma sociale. Kufizime të tilla janë shumë të mirëpritura nga komunat gjermane që parashikojnë shpenzime në miliarda për shkak të infiltrimit të emigrantëve të BE-së në sistemet sociale. Në këtë projektligj janë trajtuar edhe shërbimet sociale afatshkurtra, që në të ardhmen do të jenë të vlefshme për të gjithë qytetarët nga BE pa të drejtë për ndihma sociale. Asistenca afatshkurtër parashikon transferimin vetëm të një pagese kalimtare, ku përfshihet ndihma financiare për katër javë dhe nevojat për ushqim, strehim dhe kujdesje higjienike. Po ashtu ekziston mundësia e një kontributi të pjesshëm për shpenzimet e udhëtimit të kthimit të vendlindje. Aty personi i prekur mund të aplikojë për ndihmën sociale.
Opozita: Ministrja parashikon shkelje kushtetuese
Planet e ministres së Punës, Andrea Nahles ndeshin në refuzimin e opozitës. Zëdhënësi për çështjet sociale i partisë së Gjelbër, Wolfgang Strengmann-Kuhn shprehet për agjencinë AFP, se planet “shkelin me shumë gjasa të drejtën bazë për sigurimin e ekzistencës”. Politikani i Gjelbër i referohet një vendimi të Gjykatës Kushtetuese në bazë të të cilit, kjo e drejtë bazë vlen për të gjithë personat që jetojnë në Gjermani, edhe nëse ata nuk janë shtetas gjermanë.
Por edhe të Gjelbrit janë të hapur për lehtësimin e komunave nga barra financiare. “Propozimi ynë është që qytetarët nga BE që kërkojnë punë në Gjermani të kenë të drejtë për asistencën “Hartz IV” edhe pas tre muajsh qëndrimi në Gjermani.” Kjo lloj asistence mbështetet kryesisht nga Federata. Kritika vijnë edhe nga partia e Majtë. Zëvendëskryetari i fraksionit, Jan Korte i quajti këto plane “populizëm në kurriz të më të dobëtve”.
E drejta europiane më fleksibël se në Gjermani
Një vështrim në ligjet e BE-së të mëson se debati i ndezur nga propozimi i ministres gjermane të Punës, Nahles është i panevojshëm. Edhe vetë rregulloret e BE-së parashikojnë një sërë masash se si një shtet i BE-së mund të mbrohet nga strapacimi i sistemeve sociale përmes të huajve nga vendet e BE-së. Sipas Komisionit të BE-së: “Qytetarët e papunë të BE-së në praktikë kanë shumë pak të drejtë për ndihma sociale. Para se t’u njihet e drejta për qëndrimin, ata duhet të provojnë para autoriteteve të vendit, se kanë mjete të mjaftueshme për sigurimin e ekzistencës.” Lind pyetja: Mos shkurtimet e planifikuara në Gjermani për të huajt brenda BE-së janë thjesht një politikë simbolike, sepse në praktikë raste të tilla janë të rralla. (dw)