Gjermania në dilemën e Tajvanit

DE KinaMe vizitën në Tajvan të zëdhënëses së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, rivaliteti Kinë-SHBA është shkallëzuar tej mase. Përplasja ka efekte edhe në Gjermani.

 

Kur Shieh Jhy-Vey hedh vështrimin nga dritarja, i del parasysh Katedralja Gjermane në Berlin. Përfaqësuesi i Tajvanit në Gjermani e ka rezidencën në një vendet më të bukura në Berlin. Deri tek Ambasada e Republikës Popullore të Kinës në bregun e Spree, Shieh-it i duhet më pak se gjysmë ore në këmbë. Por distanca mes këtyre dy botëve është me kilometra larg. Në intervistë për Deutsche Wellen, ai shpjegon, se tensionet aktuale nuk qëndrojnë mes dy vendeve, por mes “dy sistemeve vlerash”, sistemit “të diktaturës” dhe “demokracisë.” Me vizitën në Tajvan të zëdhënëses së Dhomës Amerikane të Përfaqësueve, Nancy Pelosi, numri 3 në sistemin qeveritar amerikan, tensionet në trekëndëshin Pekin-Uashington-Taipeh u shkallëzuan deri në cakun e përplasjes ushtarake.

Politika e jashtme e Gjermanisë në këtë kontekst ndodhet në dilemë: Nëse Gjermania pozicionohet qartë kundër agresivitetit të Kinës, kërcënon një konflikt i rëndë me partneren më të rëndësishme tregtare, Kinën. Nëse kursehet me kritikat ndaj Pekinit, tingëllon bajate politika gjermane kaq e ngritur lart e orientimit nga vlerat. Ajo që dihet, është se po bëhet shumë më e vështirë të qëndrosh larg konfliktit gjithnjë e më të nxehtë mes Kinës dhe SHBA-së.

 

Deklarata e ministres së Jashtme dhe thirrja e ambasadores

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock u shpreh qartë pro Tajvanit. “Ne nuk pranojmë shkeljen e së drejtës ndërkombëtare dhe kur një fqinj më i madh me shkelje të së drejtës ndërkombëtare sulmon një fqinj më të vogël, kjo vlen natyrisht edhe për Kinën”, tha Baerbock para konferencës së OKB për armët atomike në Nju Jork. Të martën (02.08) u thirr menjëherë ambasadorja gjermane, Patricia Flor në Ministrinë e Jashtme në Pekin. Flor shkroi më pas në twitter. “Bisedë direkte sot! Në takimin tim me zëvendësministrin e Jashtëm, Deng Li theksova: Gjermania e mbështet politikën Një-Kinë. Shkëmbimi me autoritetet tajvaneze është pjesë e kësaj politike. Kërcënimi me dhunë ushtarake nuk është i pranueshëm në asnjë rast, siç u paraqit edhe nga ministrja e Jashtme.”

 

Politika Një-Kinë

Që ambasadorja gjermane flet për “autoritetet tajvaneze” dhe jo për qeveri tajvaneze ka të bëjë pikërisht me politikën Një-Kinë. Edhe Tajvani nuk ka në Gjermani një ambasadë, por vetëm një “përfaqësi të Tajpehut”. Përveç kësaj nuk ka kontakte në nivel të lartë shtetëror. As për kreun e qeverisë, as për presidenten ashtu si edhe për zëvendëspresidentin, ministrin e Jashtëm apo të mbrojtjes, presidentin e parlamentit apo gjykatësin e lartë nuk ka vizë për në Gjermani. Respektimi i politikës Një-Kinë bën pjesë tek shtyllat kryesore të marrëdhënieve bilaterale të Pekinit në botë.

Gjermania nuk e njeh Tajvanin zyrtarisht si shtet të pavarur. Tajvani konsiderohet pjesë e Kinës. Kështu e shohin këtë shumica e shteteve të botës, edhe SHBA. Madje vetë Tajvani zyrtarisht përcaktohet si “Republikë e Kinës”. Por me dëshirë ai nuk e bën këtë. Ndryshimi i kushtetutës do të interpretohej si deklaratë e shpalljes së pavarësisë. E kjo pas miratimit të ligjit kundër shkëputjes në vitin 2005, mund të shërbente si shkas për bashkimin me dhunë të pjesëve të ndara që nga viti 1949.

 

Kontakte intensive

Megjithë politikën Një-Kinë, Gjermania dhe Tajvani mbajnë marrëdhënie të ngushta. Ministrja e Jashtme në Berlin shkruan në faqen e saj të internetit, se Tajvani dhe Gjermania janë për njëri-tjetrin “partnerë të rëndësishëm në vlera, të lidhur ngushtë dhe substancialisht në marrëdhënie ekonomike, kulturore dhe shkencore.” Gjermania ka edhe një ambasadë në hije në ishull, “Institutin Gjerman Taipei”. Madje në marrëveshjen e koalicionit qeverisës, SPD, Të Gjelbër dhe liberalë gjen vend edhe Tajvani. “Ndryshimi i status-quo-së në rrugët e Tajvanit mund të bëhet vetëm në mënyrë paqësore dhe në ujdi të dyanshme. Në kuadër të politikës Një-Kinë të BE mbështesim pjesëmarrjen konkrete të Tajvanit demokratik në organizatat ndërkombëtare.”

Miqësia me partnerin në vlera merr fund aty ku fillon politika e sigurisë. Prej dekadash qeveria gjermane e refuzon dërgimin e armatimeve ushtarake në Tajvan. Përndryshe marrëdhëniet lulëzojnë. Gjermania është partnerja më e madhe tregtare e Tajvanit në Europë. Në vitin 2021 janë shkëmbyer mallra në vlerë prej 22 miliardë eurosh.

 

Në sfond -Kina dhe rivaliteti me SHBA

Por në vend të parë të partnerëve tregtarë të Gjermanisë qëndron Kina. Me rritjen e kontradiktave sistemore dhe rivalitetit gjeostrategjik mes Kinës dhe SHBA shtrohet pyetja: Sa kohë që do të qëndrojë më këmbë shtylla kineze e modelit gjerman të tregtisë? Që në vitin 2019, BE në një dokument strategjik shprehet, se Kina është partnere, konkurrente dhe rivale. Por aktualisht po fiton gjithnjë e më shumë peshë rivaliteti mes sistemeve. Kjo do të reflektohet edhe në strategjinë kombëtare të sigurisë që po përpilon aktualisht Ministria e Jashtme në Berlin. Që në vitin 2020, qeveria e atëhershme nën Angela Merkelin, CDU, kishte miratuar piketa të reja për politikën e Indo-Paqësorit, ku flitet shumë për politikën e sigurisë dhe “konfliktet në ashpërsim mes Kinës dhe SHBA”.

 

Soveraniteti europian

Që në mandatin e Donald Trumpit si president u përdor nocioni “Decoupling” – shkëputjes nga lidhjet e forta ekonomike me Kinën. Politologu, Josef Braml në këtë konteskt bën fjalë për DW për një “luftë ekonomike”. Por pas vizitës së së Pelosit në Tajvan, politologu paralajmëron. “Edhe sikur të mos ketë përplasje ushtarake, europianët, dhe sidomos ne gjermanët, do të jemi ata që do të vuajnë nga shkëputja gjithnjë më e madhe nga ekonomia kineze, që po e nxit tani Uashingtoni.”

Braml, i cili ka publikuar vitin e kaluar studimin “Iluzioni transatlantik”, kërkon sovranitet më të madh të Europës, edhe para rikthimit të mundëshëm të Donald Trumpit në pushtet. Nga unioni ekonomik duhet të bëhet një union politik dhe ushtarak. Një bashkësi e tillë qëndron edhe më tej në krah të SHBA. “Por si partnere dhe jo si vasale. Nëse nuk ia dalim kësaj, ne do të kthehemi në dëm kolateral të një përplasjeje më të madhe mes SHBA dhe Kinës”, shprehet eksperti Braml.

dw

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>