Gazeta majtiste liberale Cumhuriyet është sërish në shënjestër të sistemit të Erdoganit. Evropa dhe Gjermania nuk duhet të heshtin.
Me 29 tetor në Turqi është shënuar 93-vjetori i Republikës së Turqisë. Vetëm dy ditë më vonë, gazeta Cumhuriyet, e cila është e vjetër sa edhe vetë Republika, u shndërrua në një cak sulmi të fushatës së pushtetit kundër opozitës dhe mediave. Qeveria po e përdor gjendjen e jashtëzakonshme për të luftuar edhe ato pak zëra kritikë që kanë mbetur në Turqi.
Të hënën është arrestuar kryeredaktori dhe disa nga autorët më prominentë të gazetës. Ndërkohë që me fletëarrest kërkohet edhe ish-kryeredaktori Can Dündar, i cili ka ikur dhe tani është në Gjermani. Ajo që çështjen e bën edhe më absurde është pohimi se gazetarët, të cilët më parë e kanë kritikuar Gülenin, i cili konsiderohet armiku kryesor i qeverisë, tani gjoja janë bashkuar me lëvizjen e Gülenit.
Situata në fakt është shumë e thjeshtë: secili që shpreh mendim kritik ndaj qeverisë dhe pushtetit, është terrorist ose mbështetës i PKK apo i Gülenit. Gjërat nuk kanë përfunduar as për së afërmi dhe qeveria turke nuk do të ndalet deri sa t’i mbyllë të gjithë ata që janë kundër saj. Kjo ka të bëjë në radhë të parë me gazetarët, të cilët duan të hulumtojnë dhe të gjejnë të vërtetën.
Tendosjet
Pas përpjekjes së dështuar për rrëzimin e pushtetit, shumë akademikë dhe gazetarë kanë ikur në Gjermani. Jo vetëm inteligjenca por edhe diplomatët, të cilët dyshohen për afërsi me lëvizjen e Gülenit. Për shkak të kërcënimeve me dhunë është shumë pak e besueshme që Gjermania do t’i ektradojë ata në Turqi. Por Gjermania ende nuk e ka të qartë se si duhet të sillet në këtë situatë dhe të mos rrezikojë raportet me Turqinë.
Nuk do të ishte ndonjë befasi nëse Turqia kërkon ekstradimin e gazetarëve dhe personave të tjerë të akuzuar. Një gjë e tillë do të mund të shkaktonte një valë tjetër të mospajtimeve mes këtyre vendeve.
Befasuese dhe dëshpëruese është që politikanët gjermanë deri tani kanë reaguar me tone shumë të buta pas arrestimeve të fundit. Duket se Gjermania më shumë po kujdeset për marrëveshjen për refugjatët, sesa për nivelin e demokracisë në Turqi.
Arrestimet, ndryshimet e ligjeve, diskutimet për rikthimin e denimit me vdekje dhe shndërrimi i demokracisë në një sistem presidencial tregojnë se Turqia po shkon me hapa të shpejtë drejt një pike pa kthim. Kancelarja Angela Merkel dhe politikanët evropianë mbase do të detyrohen shumë më shpejt sesa që do të dëshironin që të deklarohen për gjendjen e demokracisë në Turqi. (dw)