Presidenti Erdogan e pranoi humbjen në zgjedhjet lokale të partisë së tij, AKP që duket se doli me rezultatin më të dobët në dy dekladat e fundit. Fituese në pesë metropole është partia opozitare e qendrës së majtë, CHP.
Entuziazëm tek partia socialdemokrate opozitare, CHP. Pas publikimit të rezultateve të përkohshme zgjedhore në Turqi, kreu i bashkisë së Stambollit, Ekrem Imamoglu ka mbrojtur mandatin e tij në Stamboll. Partia CHP kryeson para partisë së presidentit, Erdogan, AKP me kandidatin e saj, Murat Kurum. Erdogan u angazhua fort në fushatë në mbështetje të Kurumit. Kreu i CHP, Özgür Üzel tha se kjo humbje është edhe një mesazh i zgjedhëseve dhe zgjedhësve për Erdoagnin. “Tek këto zgjedhje qytetarët tanë nuk ka votuar vetëm për kryetarët e bashkive, por edhe për atë se si duhet qeverisur ky vend. Populli ynë i ka dhënë një mesazh të fortë atij që ka reduktuar të ardhurat tona, ka shkelur me këmbë demokracinë dhe ka shkatërruar shtetin ligjor: Ne duam që vendit tonë t’i rikthehet shteti ligjor.”
Partia opozitare e qendrës së majtë, CHP ka fituar ndërkohë edhe në pesë qytete të tjera të mëdha në vend, mes tyre edhe Bursën. Edhe zona e prekur fort ga tërmeti, Adyiaman ka kaluar nga partia e Erdoganit, AKP tek CHP. Por fituesi më i madh tek kjo parti është kreu i bashkisë së Stambollit, Imamoglu. Ai tha me vetëbesim të dielën në mbrëmje. “I kemi fituar zgjedhjet.”
Pas numërimit të më shumë se 98% të votave partia, AKP ka marrë rezultatin më të dobët në zgjedhjet lokale prej dy dekadash, sipas mediave. Partia e qendrës së majtë, CHP fitoi në shkallë vendi 37,6 të votave raportoi agjencia e lajmeve, Anadolu. Kurse AKP ka arritur 35,7 të votave, sipas rezultateve të deritanishme.
Do ta respektoj vendimin e kombit: Erdogan pranon humbjen
Megjithëse këto kanë qenë zgjedhje lokale, rezultati mund ta ndryshojë Turqinë, është shprehur politologu turk, Suat Özcelebi në bisedë me televizionin gjerman, ARD në Stamboll. Imamoglu pas fitores ka edhe një rol tjetër. “Populli turk i ka thënë qeverisë ‘stop’. Këto rezultate do të çojnë aty, që politika të ristrukturohet, të ketë liderë të rinj në politikë. Veçanërisht emrin e Imamoglu ne do ta dëgjojmë që tani gjithnjë e më shpesh në lidhje me zgjedhjet presidenciale të vitit 2028.”
Por në shkallë vendi, AKP përafrohet në nivel rezultatesh me partinë opozitare, CHP. Sidomos në Anadollin Qendror dhe disa zona në Detin e Zi kjo parti mbetet fuqi kryesore. Presidenti Erdogan pranoi humbjen në një fjalim natën e së dielës. Ai bëri fjalë për 85 milionë njerëz në Turqi dhe për demokracinë si fituese. “Për fat të keq nuk e arritëm në këto zgjedhje lokale rezultatin e dëshiruar. Në instancat e partisë sonë ne do ta analizojmë këtë drejt dhe do të ushtrojmë me guxim vetëkritikë. Ne do të analizojmë arsyet e këtij hapi mbrapa dhe do të marrim masa.” Do ta respektoj vendimin e kombit, tha Erdogan.
Kurse në lindje të Turqisë ka fituar partia me shumicë kurde, DEM në shumë provinca, si në Mardin, Diyarbakir, Batman dhe Van. Zgjedhjet sipas drejtuesit të Komisionit zgjedhor në shkallë vendi u zhvilluan në përgjithësi të qeta. Vetëm në lindje të Turqisë ka pasur të dielën përleshje të dhunshme, ku humbën jetën dy vetë dhe u plagosën rreth 40 të tjerë.
la/ag