Goditje serioze? Depërtimi i Ukrainës në territorin rus

KurskTrupat ukrainase thuhet se kanë depërtuar disa kilometra në rajonin rus të Kurskut. Forcat e armatosura ruse thonë se po luftojnë kundër tyre. Por shumë pyetje mbeten pa përgjigje.

 

Në rajonin Kursk të Rusisë, që kufizohet me Ukrainën verilindore, po zhvillohen që nga mëngjesi i ditës së martë luftime të ashpra. Organet e qeverisjes rajonale kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme dhe rregullisht bien sirenat e alarmit ajror.

Sipas Ministrisë ruse të Mbrojtjes dhe të ekspertëve ushtarakë trupat ukrainase kanë depërtuar në territorin rus. Thuhet se ato kanë kapur ushtarë rusë dhe se ushtria ruse ka humbur të paktën një helikopter Ka-52 që u rrëzua nga një dron.

Autoritetet ruse pretendojnë se e kanë “ndaluar përparimin e trupave të armikut” dhe se e kanë “situatën nën kontroll”, por nga qyteti i vogël Sudxha njoftohet për luftime të reja.

Ukraina nuk ka bërë ndonjë deklaratë zyrtare për gjendjen në rajonin e Kurskut. Shumica e ekspertëve ushtarakë të intervistuar nga DW mendojnë se ky sulm në territorin rus do ta dobësojë ushtrinë ruse në frontin kryesor në Ukrainë, sepse Rusisë do t’i duhet të zhvendosë disa nga trupat e saj.

 

Suksesi i Ukrainës, dështimi i shërbimeve sekrete ruse

Në një takim me dyer të mbyllura të Këshillit rus të Sigurimit që thirri presidenti Vladimir Putin, mund të jetë diskutuar për një dështim të shërbimit sekret rus në gjurmimin e lëvizjeve të trupave ukrainase pranë kufirit. Sipas ekspertit të pavarur ushtarak rus, Juri Fjodorov: “Fjala është për dy brigada me rreth 4,000 ushtarë secila, gjë që  është padyshim një sukses për palën ukrainase.”

Sipas tij këto trupa mund të jenë të mjaftueshme për të krijuar një bazë për veprime të mëtejshme në territorin rus, sepse në atë zonë nuk ka as sisteme mbrojtjeje dhe as trupa të mjaftueshme ruse. “Në Kursk ka 10,000 deri në 12,000 ushtarë. Ata janë të shpërndarë dhe më pak të përgatitur për të luftuar sesa trupat e përfshira drejtpërdrejt në luftë,” thotë ai. Eksperti mendon se qëllimi kryesor i Ukrainës është që ta shpërqendrojë ushtrinë ruse nga fronti kryesor i luftimeve.

Por në të njëjtën kohë Fjodorovi tha se edhe forcat e armatosura ukrainase kanë probleme të mëdha: “Zelensky tha se forcat e armatosura ukrainase kanë thuajse 14 brigada pa personel dhe se nuk ka armë të mjaftueshme për t’i dërguar ato në betejë”.

 

Dhjetë fshatra rusë dhe 15 kilometra territor

Analisti ushtarak rus Jan Matvejev pajtohet me këtë vlerësim, duke shtuar se në territorin rus mund të ketë disa qindra ushtarë ukrainas, ndërsa pjesa tjetër janë duke pritur si rezervë në territorin ukrainas. Këto trupa rezervë mund të vihen në veprim, nëse ofensiva ukrainase do të jetë e suksesshme.

Sipas Matvejevit ushtria ukrainase kishte arritur të kapte deri më 7 gusht dhjetë fshatra dhe kishte depërtuar rreth 15 kilometra në territorin rus. Edhe ekspertët e Institutit për Studimin e Luftrave (ISW) me seli në SHBA flasin për një depërtim deri në dhjetë kilometra.

 

Mjet presioni për bisedime për armëpushim

Nga këndvështrimi psikologjik territori rus i pushtuar është për Ukrainën një argument i rëndësishëm në bisedimet për një armëpushim të mundshëm, thotë Matvejev. Por nga perspektiva ushtarake është e paqartë nëse në fund Ukraina do të humbasë si rezultat i ofensivës më shumë njësi ushtarake sesa ushtria ruse. “Në frontin e Donjetskut, për shembull, ushtria ukrainase ka probleme serioze”.

Humbja e kontrollit mbi një pjesë të territorit rus është katastrofë për autoritetet ruse, thotë eksperti ushtarak ukrainas Oleh Zhdanov. Në të njëjtën kohë ushtrisë ruse thjesht i mungon personeli që mund ta dërgojë në zonën e re të luftimeve: “Çdo muaj në Rusi mobilizohen 25,000 deri në 30,000 vetë për të nënshkruar kontrata me ushtrinë. Por ata nevojiten për të kompensuar humbjet në vijën e parë të frontit”.

Zhdanovi mendon se udhëheqja ukrainase mund ta përdorë situatën për të marrë një pozicion më të fortë, nëse fillojnë negociata për zgjidhjen e konfliktit ushtarak. “Rëndësia politike e tejkalon suksesin ushtarak,” thotë ai.

dw

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>