Propozimet e reja për reforma të qeverisë greke ngjallin frikëra sidomos tek industria e turizimit.
Ishte një apel thuajse dramatik i shoqatave greke të biznesit drejtuar së fundmi kryeministrit Tsipras. Ai duhet të arrijë një marrëveshje me huadhënësit dhe t’i japë fund “ekuilibrit të tmerrit”. Sipërmarrësit paralajmëruan ndaj rritjeve të reja të taksave dhe taksave speciale. Ato do të kenë ndikim negativ ndaj kompanive, punësimit dhe ekonomisë në tërësi.
Frikë nga mbyllje të mëtejshme ndërmarrjesh
Që nga nata e së hënës njihen propozimet e reja për reforma të qeverisë greke – ato përbëhen kryesisht nga shkurtimet, për shembull, të pensioneve dhe shpenzimeve për mbrojten, si dhe rritja e taksave. Ekonomia greke ndjehet si viktimë e paketës së reformës. Tatimi fitimet e sipërmarrjeve pritet të rriten nga 26 për qind në 29 për qind. Fitimet vjetore prej më shumë se 500 milionë euro, qeveria në Athinë do t’i taksojë me një taksë të veçantë prej 12 për qind. Dhe tvsh-ja për kafenetë, restorantet dhe hotelet pritet të rritet në 23 për qind.
Edhe pse biznesi dhe ekonomia e duan shumë një marrëveshje me huadhënësit, “këto rritje taksash do ta pengojnë shumë ekonominë” mendon Kostas Michalos, presidenti i Federatës së Dhomave të Tregtisë greke – ESSE. Sidomos në rrezik prej taksave janë sipas tij bizneset e vogla dhe sikurse tha ai për Deutsche Welle-n, taksat do të çojnë në më shumë falimentime. Që tani drejt falimentimit janë 600 ndërmarrje greke. Në vend të masave të parashikuara, qeveria greke duhet t’i bindë huadhënësit që lufta kundër ekonomisë informale dhe përmirësimi i menaxhimit të sistemit të mbledhjes së taksave do të sjellin më shumë para në arkat e shtetit.
Turizmi në rrezik
Edhe Andreas Andreadis, president i Shoqatës së Turzimit SETE, mendon se ngritja e taksave nuk ka vlerë në rast se ato nuk mblidhen. Sipas tij rreth 40% e taksave nuk paguhen, dhe në rast se taksa për turizimin do të rritet në masën 23% kjo do të thotë vdekje për turzimin grek, sepse ai nuk do të jetë në gjendje të përballojë konkurrencën. Vendet e tjera kanë taksa shumë të ulëta për industrinë e turzimit, Turqia 8%, Italia apo Spanja 10%, Qiproja 9%. Sipas tij edhe niveli prej 13% që ishte propozuar më parë, është maksimumi që mund të përballojë turizmi grek. Andreas Andreadis thotë se nuk e kupton se si BE-ja, BQE-ja apo FMN-ja ngulin këmbë për një taksë prej 23%.
Edhe Thanassis Syrianos, nga Zyra e Tregtisë dhe Industrisë Gjermano-Greke mendon se ngritja e taksave nuk do ta shtojë atraktivitetin e Greqisë për investitorët e huaj. Të vetmit që interesohen për Greqinë janë fondet hedge që spekulojnë me bonot greke të thesarit. Investitorët e huaj që duan të investojnë në fushën e turizmit do të presin sa të stabilizohet gjendja dhe deri sa qeveria greke të ofrojë ” kushte të arsyeshme”. Sipas tij ngritja e taksave nuk bën pjesë në kushte të tilla. (dw)