Greqia hedh vështrimin nga Rusia

Greqia

Greqia përpiqet ta financojë ekonominë edhe me para “jashtë BE”. Preferenca e Athinës për Moskën, sipas medieve, po sjell shqetësim në BE.

Për të mbështetur ekonominë që lëngon të vendit, Greqia po kërkon burime financimi edhe jashtë Bashkimit Evropian. Përfaqësues të qeverisë greke ia konfirmuan këtë numrit online të së shtunës të revistës “Der Spiegel”. Greqia përpiqet të sigurojë investime dhe financim jashtë BE, “para së gjithash nga Kina”, u tha nga Athina.

Interesi kinez dhe investimet kineze në Greqi nuk janë temë e re. Edhe planet e qeverisë greke, që portin e Pireut t’ua “shesë” plotësisht kinezëve nuk tërheqin vëmendjen. Kinezët kanë në këtë port gjithsesi një pjesë të aksioneve, me Grupin e tyre Cosco, kujton në numrin e së dielës (29.03.2015) Neue Zürcher Zeitung.

Ajo që tërheq vëmendjen evropiane dhe ka sjellë edhe reagimet e para janë planet e Athinës për të kërkuar mbështetje ekonomike nga Rusia. Meqenëse negociatat e Athinës me Brukselin për financimin e borxheve greke po avancojnë me shumë vështirësi, Greqia luan kartën e pozicionit të saj gjeopolitik. Sipas informacioneve të “Spiegel”-it, Greqia është e gatshme të bashkëpunojë ngushtë me Rusinë për ta siguruar ndikimin rus në tregun energjetik të rajonit. Athina do të përshëndeste investime ruse dhe kineze edhe në sipërmarrje greke shtetërore me humbje, si në Hekurudhën Greke dhe në Portin e Selanikut.

Në këtë kuadër, ministri grek i Energjisë, Panajotis Lafazanis dhe zëdhënësi i Syrizas në Parlament kanë nisur sot (30.03.2015) një vizitë dyditore në Moskë. Sipas Spiegelit, përfaqësuesit e qeverisë greke pritet t’i kërkojnë Rusisë ta ulë çmimin e gazit për ekonominë greke. Gjithashtu pritet që Greqia të kërkojë të përjashtohet nga embargoja ruse ndaj BE për produkte të tilla si frutat e freskëta.

Cipras në 8 prill në Moskë

Po jo vetëm kaq. Në 8 prill, në Moskë do të qendrojë vetë kryeministri i qeverisë greke, Alexis Cipras. Vizita bëhet një muaj më herët se planifikimi. Sipas vëzhguesve, Cipras mund të tatojë pulsin në Moskë edhe nëse Rusia është e gatshme të mbështesë më kredi Greqinë.

Që Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin nuk e jep mbështetjen vetëm në kuadër të “afërisë” që ndiejnë dy kombe ortodokse për njëri-tjetrin, kjo mund të merret me mend. Putini mund të shfrytëzojë shansin ta përçajë BE dhe të forcojë ndikimin në Evropën Juglindore, druhen në Bruksel dhe në Berlin.

Disa politikanë kryesorë të Syrizas ndihen më afër me Moskën se me Brukselin, konstaton revista “Der Spiegel”. Ministri i Energjisë, Lafazanis, kreu i platformës ekstremiste të majtë të Syrizas tha në një intervistë të shtunën se “Bashkimi Evropian i gjermanizuar po na mbyt me plotëkuptimin e fjalës.”

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partive Popullore Evropiane në Parlamentin Evropian, Manfred Weber paralajmëroi që Cipras përpiqet t’i kundërvërë kundër njeri-tjetrit shtetet e BE në kurriz të popullit grek. Kjo është “një strategji shumë e rrezikshme”. Ndërsa Herbert Reul, kryetar i Grupit CDU/CSU në PE citohet me fjalët: “Anëtarësimi në BE do të thotë veprime të parashikueshme dhe besim – dhe jo truke. Ai që luan me zjarrin dhe kërkon tani ndihmë në Rusi, mund të djegë gishtat!”. Edhe kryetari i Komisionit të Evropës në Bundestagun Gjerman, Gunther Krichbaum i tha Spiegelit: “Ai që kërkon edhe më tej ndihma nga BE, duhet të ketë busull që tregon nga Brukseli, jo nga Moska.” (dw)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>