Imami Fethullah Gulen foli dje për mediat nga shtëpia e tij në Pensilvani të Shteteve të Bashkuara, duke hedhur poshtë akuzat e Presidentit Erdogan për përfshirje në puçin ushtarak. Ai dënoi me forcë përpjekjet për rrëzimin e qeverisë turke dhe tha se nuk ka dijeni nëse mbështetës të tij u përfshinë në puçin ushtarak.
Kleriku mysliman 75-vjeçar, Fethullah Gulen, vendosi të flasë dje për akuzat e bëra nga Presidenti turk Erdogan.
Duke folur për një numër të vogël mediash në shtëpinë e tij në Saylorsburg të Pensilvanisë, Imami Gulen vuri në dukje se ai është larguar prej vitesh nga Turqia dhe se nuk është në dijeni se cilët janë tashmë mbështetësit e tij të atjeshëm. Ai bëri thirrje që të respektohet në çfarëdolloj rrethanash qeveria turke e zgjedhur përmes votës:
“Mesazhi im ndaj popullit turk është që të ruajnë qetësinë dhe objektivitetin. Koha do të jetë interpretuesi më i mirë. Jam i sigurtë që Zoti do të tregojë natyrën e vërtetë të këtyre ngjarjeve.”
I pyetur nga shërbimi turk i Zërit të Amerikës, zoti Gulen u shpreh se nuk do të ishte kthyer në Turqi, edhe nëse puçi do të kishte rezultuar i suksesshëm.
Ai madje sugjeroi se puçi mund të jetë inskenuar për t’i shërbyer përpjekjeve të qeverisë për të eliminuar më shumë kundërshtarë në radhët e ushtrisë. Ai përmendi se gjatë kësaj përpjekjeje nuk u shfaqën komandantë të lartë ushtarakë dhe se më pas retorika e qeverisë e përshkruante si një dhuratë nga Zoti.
Presidenti turk Erdogan ka fajësuar imamin Gulen dhe gjatë fundjavës protestues me flamuj të Turqisë u shfaqën përpara shtëpisë së tij në Pensilvani.
Ndërkaq, Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, është shprehur se Shtetet e Bashkuara do të ishin të gatshme të shqyrtonin një kërkesë të Turqisë për ekstradimin e Fethullah Gulen, por se kthimi i tij në Turqi do të bëhej vetëm në rast se Turqia do të paraqesë prova të pakundërshtueshme për përfshirjen e tij në puçin ushtarak. (voa)