Nikki Haley, ambasadorja amerikane në OKB tha të dielën se Presidenti Trump nuk e ka penguar të kritikojë Rusinë, edhe nëse vetë vazhdon të sulmojë grupet mediatike që raportojnë për hetimet për të zbuluar nëse ka pasur kontakte të parregullta mes ndihmësve të presidentit dhe zyrtarëve rusë për ta ndihmuar zotin Trump të fitonte në zgjedhje.
“Presidenti nuk më ka telefonuar asnjëherë për të më thënë ‘Mos sulmo Rusinë’,” tha zonja Haley.
Ambasadorja Haley nuk shprehu asnjë dyshim se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale amerikane.
“Kam thënë gjithnjë se nuk mund t’i zëmë besë Rusisë dhe besoj se të gjithë jemi të vetëdijshëm se Rusia u përzie në zgjedhje,” tha Ambasadorja amerikane në OKB, Nikki Haley në emisionin This Week të rrjetit ABC.
Ambasadorja amerikane në OKB tha se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të dënojnë dhe të bëjnë thirrje që t’i jepet menjëherë fund pushtimit rus të Krimesë. Ajo shtoi se sanksionet e vëna kundër Moskës pas agresionit në Krime do të mbeten të pandryshuara deri kur Rusia t’i rikthejë Ukrainës kontrollin mbi Krime. (voa)