Paraqitja e tij u prit me padurim: në takimin e NATO-s, Hegseth dha një përshkrim të hollësishëm të strategjisë së re amerikane ndaj Ukrainës. Parashikime janë jo të mira.
Atmosfera ishte e tensionuar kur Sekretari i ri i Mbrojtjes i SHBA-së mbërriti në selinë e Aleancës NATO. Pak para takimit Pete Hegseth tha se do të flasë me fjalë të qarta dhe të hapura me miq. Partnerët evropianë ishin të përgatitur për shumë surpriza. Dhe me të vërtetë, fjalët ishin të hapura. Edhe përpara se të fillonin negociatat në Grupin e Kontaktit të Ukrainës, Hegseth tha hapur atë që amerikanët nuk do të bënin. Për shembull, nuk do të mbështesë anëtarësimin e shpejtë të Ukrainës në Aleancë: “SHBA nuk beson se anëtarësimi i Ukrainës në NATO është një rezultat real i një zgjidhjeje të negociuar.”
Sigurimi i paqes vetëm me ndihmën e evropianëve
Ai gjithashtu tha qartë “jo” për dërgimin e trupave amerikane në Ukrainë. Hegseth përjashtoi edhe vendosjen e forcave paqeruajtëse atje përmes NATO-s, duke theksuar se kjo duhet të organizohet jashtë Aleancës Veriatlantike. Më pas erdhi edhe një refuzim tjetër. Kthimi në kufijtë e Ukrainës të para vitit 2014, pra përpara aneksimit të Krimesë nga Rusia, është jorealist: “Ndjekja e këtij qëllimi iluzor vetëm do të zgjasë luftën dhe do të shkaktojë më shumë vuajtje.”
Pse ai i vuri të gjitha letrat e tij në tryezë në një fazë kaq të hershme, duke e bërë kështu të dukshme strategjinë e re amerikane për shefin e Kremlinit, Vladimir Putin? Ministri amerikan nuk e shpjegoi këtë…
Pesë për qind për mbrojtje?
Në vend të kësaj, ai shpjegoi qartë se cilat mund të jenë pritshmëritë në lidhje me investimet në armatim. Rregulli aktual i NATO-s për shpenzimin e dy për qind të Produktit Bruto (PBB), nuk është më i mjaftueshëm. “Duhet të jetë pesë për qind,” tha Hegseth, duke forcuar në mënyrë eksplicite qëndrimin e Presidentit Donald Trump.
Por ai për këtë plan ka pak mbështetje nga aleatët. Disa vende ndoshta do të mbështesnin këtë qëllim. Por shumica dërmuese e partnerëve janë skeptikë apo edhe kundër kësaj kërkese. “Objektivi pesë për qind nuk është në plan”, tha ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius, duke shtuar: “Vetë amerikanët janë ende larg kësaj”.
Në fakt, shpenzimet e mbrojtjes amerikane janë nën katër për qind. Megjithatë, kjo nuk e ndryshon faktin se SHBA-ja mbetet vendi që deri tani ka qenë kontribuesi më i madh në sigurinë evropiane brenda Aleancës. Në një aspekt, kjo nuk do të ndryshojë: aktualisht janë rreth 100.000 trupa amerikane të stacionuara në Evropë. Sipas Hegseth, nuk ka plane për t’i tërhequr ato.
Një debat delikat po vjen në BE
Lidhur me ndihmën ushtarake për Ukrainën, Hegseth kërkoi që evropianët të mbanin pjesën e luanit në të ardhmen. Kjo nuk ishte befasi – deklarata e ministrit të ri të mbrojtjes ishte më e butë se ç’duhej. Vitin e kaluar, pjesa e ndihmës ushtarake evropiane për Ukrainën ishte pak më e lartë se kontributi i SHBA. Dhe ky hendek do të vazhdojë të zgjerohet, u tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte ministrave evropianë të mbrojtjes.
Rutte, i cili ka qenë në krye të Aleancës që nga tetori, ka përgatitur gjithashtu partnerët e BE-së për një debat delikat – një debat për ndarjen e barrës mes evropianëve. Vende si Spanja, Italia dhe Franca ende po frenohen kur bëhet fjalë për ndihmën më të madhe ushtarake për Ukrainën, e cila ndoshta ka të bëjë me borxhin e tyre të lartë kombëtar.
“Nuk mund të ketë dyshim se do të ketë diskutime midis aleatëve se kush do të paguajë për çfarë dhe nga do të vijnë ato para,” u tha Rutte evropianëve.
dw