Silicon Valley në Kaliforni, e njohur si qendra globale e zbulimeve nga fusha e teknologjisë së lartë, është njëkohësisht një vitrinë e historive të suksesit për emigrantët. Në vitin 2013, dy biznese imigrantësh ishin në mesin e 5 sipërmarrjeve të Silicon Valley-t; tani ato janë bërë kompani të rëndësishme të rajonit. Por si e arritën suksesin në industrinë konkurruese të teknologjisë këta imigrantë të porsaardhur në Amerikë?
Silicon Valley në Kaliforni siguron një platformë prej nga ëndërrat shndërrohen në realitet. Ky është synimi që i kanë vënë vetes shumë emigrantë të sapoardhur në Amerikë. Të tjerë kanë ëndërra edhe më të mëdha.
Qasar Younis është një rast i tillë, ai është zyrtari kryesor i një prej firmave më të mëdha sipërmarrëse në Silicon Valley, “Y Combinator”.
Dikur ai ishte vetëm një fëmijë nga një fshat i prapambetur i krahinës Punjab të Pakistanit. Younis thotë se gjithmonë e dinte se do të kishte sukses në Silicon Valley:
“Mendoj se Silicon Valley është një vend i veçantë për mua; nëse i hedh një vështrim mbarë zonës, më tepër se gjysma e kompanive këtu janë krijuar nga emigrantët.”- thotë Younis.
Dikur fillestar në biznes dhe në nevojë për fonde, Younis tani drejton firmën “Y Combinator”, e cila u vjen në ndihmë kompanive të sapokrijuara që të rrisin biznesin e tyre.
Younis është pronari i një sipërmarrjeje kapitaliste – një investitor, i cili kur beson se një kompani e re do të ketë sukses, i jep asaj fonde, në shkëmbim të aksioneve në kompani. Younis u shndërrua nga pronar i një biznesi të ri, në një sipërmarrës, ndërsa një tjetër pakistanez, Dilawar Syed, bëri të kundërtën.
Freshdesk është një kompani me bazë në San Francisco, e cila ndërton aplikacione interneti, duke i ndihmuar bizneset të menaxhojnë shërbimin e klientëve. Presidenti i kompanisë, Dilawar Syed, thotë se Silicon Valley është më tepër sesa një rajon; është një mënyrë e të menduarit, që u krijon imigrantëve mundësi të mëdha.
“Mendoj se Silicon Valley është unike, pikërisht për shkak të këtij ekosistemi, këtu gjenden disa faktorë që u krijojnë mundësi njerëzve të zhvillohen, duke marrë risk mbi vete; ata shpesh dështojnë, por më pas arrijnë sukses, shumë shpesh në mënyrë spektakolare.”
Pra, cili është sekreti i suksesit në Silicon Valley?
“Merr mbi vete rrezik, pa patur frikë se mund të dështosh.” – thotë Syed.
“Së pari, bëhu inxhinier, së dyti, fillo një kompani tënden, në vend që të punosh për të tjerët.” – thotë Younis.
Këto ishin dy histori suksesi nga Silicon Valley, që shpresojnë të frymëzojnë brezin e ri të sipërmarrësve. (voa)