Rruga për sanksione të reja kundër Rusisë nuk është ende plotësisht e hapur. Hungaria bllokon. Ish-kancelarja Merkel mban për herë të parë një qëndrim publik për luftën në Ukrainë.
Hungaria kërkon ndryshime të mëtejshme në paketën e re të sanksioneve të BE kundër Rusisë dhe bllokon kështu sërish hyrjen e saj në fuqi. Konkretisht, gjatë negociatave të detajuara mes ambasadorëve të BE, Hungaria refuzoi të miratonte masat penale ndaj kreut të Kishës Ortodokse Ruse Kirill. Patriarku mban kontakte të ngushta me kreun e Kremlinit Vladimir Putin. Në predikimet e tij, 75-vjeçari qëndronte gjithmonë pas rrjedhës së luftës në Ukrainë.
Paketa e fundit e sanksioneve e rënë dakord nga krerët e shteteve dhe qeverive të BE në një samit të jashtëzakonshëm në Bruksel përfshin, ndër të tjera, një embargo të zgjatur ndaj naftës ruse.
Hungaria arriti të imponojë që furnizimet e naftës me tubacione fillimisht të përjashtohen nga ndalimi i importit. Sipas diplomatëve, sanksionet kundër Kirillit nuk u diskutuan në samit.
Merkel shpreh solidaritetin me Ukrainën
Në fjalimin e saj të parë publik pas rreth gjashtë muajsh, ish-kancelarja gjermane Angela Merkel e quajti sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës një “momente të thellë kthese”. Merkeli tha të mërkurën në mbrëmje në Berlin se si kancelare jo në detyrë, ajo nuk ka ndërmend të bëjë vlerësime nga jashtë. Por sulmi i Rusisë ndaj fqinjit të saj shënon megjithatë një shkelje shumë flagrante të së drejtës ndërkombëtare në historinë e Evropës që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.
“Solidariteti im është për Ukrainën e sulmuar dhe të pushtuar nga Rusia dhe për mbështetjen e të drejtës së saj për vetëmbrojtje”, theksoi ish-kancelarja. Ajo mbështet të gjitha përpjekjet e Qeverisë Federale, BE, Shteteve të Bashkuara, NATO-s, G7 dhe OKB-së për t’i “i dhënë fund kësaj lufte barbare agresioni të zhvilluar nga Rusia”.
dw, rtr