“Impeachment” tjetër kundër Trumpit?

TrumpShumica e demokratëve dhe të paktën një republikan kanë kërkuar që të hënën (11.01.) të fillojë procesi i largimit të Trumpit nga posti i presidentit. Ai fajësohet për nxitje dhune në Kongres.

Kongresmeni i Kalifornisë Ted Lieu ka bërë të ditur se ai shpreson që zëvendëspresidenti Mike Pence t’i referohet amendametit të 25-të, ose që demokratët të nisin procedurën për largimin (impeachment) e presidentit Donald Trump nga posti i tij, për shkak të nxitjes së dhunës në Kongres. Kjo procedurë pritet të fillojë sot, të hënën  (11.01. 2021), bëjnë të ditur qarqet politike në Uashington.

“Të gjithë ne, përfshirë edhe kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi, rekomandojmë që Donald Trump thjesht të bëjë gjënë më të duhur, që të japë dorëheqje, ose që zëvendëspresidenti Mike Pence të tregojë vërtet se ka bosht kurrizor politik, të paktën për vete dhe familjen e tij, dhe të kërkojë aplikimin e amandamentit 25,” tha Lieu për CNN.

Amandamenti 25 mund të përdoret në qoftë se presidenti i SHBA-së nuk është në gjendje të kryejë detyrën e tij zyrtare.

“Nëse asgjë nga këto gjëra nuk ndodh deri të hënën, atëherë ne do të kërkojmë aplikimin e rregullit për impeachment ndaj presidentit, i cili duhet të fajësohet për nxitje të dhunës dhe kryengritjes. Në këtë mënyrë ne do të krijojmë hapësirën për votimin e këtij vendimi”, shtoi Lieu.

Lieu ka dërguar të shtunën një mesazh në Twitter ku thuhet se kjo iniciativë ka ndërkohë 180 mbështetës, të cilët kërkojnë largimin e Trumpit nga posti i presidentit. Ai është i bindur se “ka edhe republikanë që do ta votojnë këtë nismë”. Lieu tha se ata janë duke biseduar me disa republikanë për të sponsorizuar këtë rezolutë.

Senatori i Pensilvanisë Pat Toomey tha se ai beson se Trump ka bërë “shkelje të mëdha”, por republikani nuk e tha qartë nëse do të votonte shkarkimin e Trumpit nga posti i presidentit.

“Unë mendoj se presidenti ka bërë shkelje që kërkojnë trajtim, por nuk e di se çfarë do të paraqitet të hënën në Senat, nëse paraqitet ndonjë ide”, deklaroi Toomey për televizionin amerikan Fox News. Presidenti i zgjedhur demokrat Joe Biden nuk është pozitionuar ende ndaj këtyre nismave për largimin eventual të Trumpit nga posti i presidentit. Ai tha se Kongresi është ai që duhet të vendosë.

Dhuna në Kongres

Trumpi i cili duhet të largohet nga zyra e presidentit me 20 janar, është kritikuar ashpër ditët e fundit për shkak të dhunës në Kongresin amerikan të mërkurën.

Trump akuzohet për nxitje të dhunës. Para shumë njerëzve në “National Mall”, përpara Kapitolit, ai tha se “ai do t’i shoqërojë” ata që “shkojnë në Kapitol”. Prej humbjes në zgjedhjet e 3 nëntorit, Trumpi ka insistuar se zgjedhjet janë manipuluar dhe vjedhur nga demokratët. Ai nuk e ka pranuar humbjen asnjëherë, ndonëse ka dështuar me ankesat e tij para gjykatave, ndërsa Biden ka marrë zyrtarisht mbështetjen e të gjitha institucioneve.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi i tha televizionit amerikan CBS se “personi (Trumpi) që drejton ekzekutivin është presidenti më i çmendur dhe i rrezikshëm i Shteteve të Bashkuara”.

Trumpi e ka mbijetuar politikisht një “impeachment” të mëparshëm, ku akuzohej për shpërdorim të detyrës dhe pengim të punës së Kongresit. Këtë nismë e kanë pamundësuar asokohe republikanët, sepse për largimin e një presidenti nga detyra kërkohet shumica prej dy të tretave. Disa demokratë thonë se tani e kanë mbështetjen e duhur për largimin e menjëhershëm të Trumpit nga posti i tij.

 

 

bc/kbd/shs (AP, dpa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>