Pas aludimeve të një programi satirik gjerman për lidhjet e mundshme të kryetarit të Zyrës Federale të Sigurisë Informative me shërbimin e fshehtë rus, qeveria gjermane po kërkon të vërtetën.
Të enjten, ministrja gjermane e Punëve të brendshme, Nancy Faeser, kishte në plan të dilte para gazetarëve për të prezantuar raportin vjetor të Zyrës Federale të Sigurisë Informative, (BSI). Por ky event tashmë është hequr nga kalendari i ministres. Arsyeja: pikërisht shefi i këtij institucioni, Arne Schoenbohm, dyshohet për lidhje të mundshme me një organizatë që ka lidhje me shërbimin e fshehtë rus.
Disa mediume gjermane kishin raportuar gjatë fundjavës se ministrja socialdemokrate Faeser po mendohet ta shkarkojë Schoenbohm. Para se të bëhej shef i Zyrës Federale të Sigurisë Informative në vitin 2016, Schoenbohm ishte kryetar i Cybersicherheitsrat Deutschland e. V, Këshilli i Sigurisë Kibernetike të Gjermanisë, shoqatë kjo që mendohet të ketë lidhje me shërbimin e fshehtë rus.
Zëdhënësja e Ministrisë së Brendshme nuk i konfirmoi njoftimet për shkarkimin e mundshëm të Schoenbohm, por la të kuptohet se shtyrja e konferencës së shtypit të BSI kishte të bënte pikërisht me aludimet për lidhjet e tij me organizatën në fjalë. “Është e qartë se në këtë situatë nuk do të mbajmë një takim të tillë derisa të sqarojmë gjithçka në detaje”, tha zëdhënësja e ministrisë së Brendshme, Sonja Kock, në konferencën e rregullt të qeverisë gjermane në Berlin.
Në pritje të sqarimeve është edhe kancelari gjerman Olaf Scholz, siç tha në Berlin zëdhënësi i tij, Stefan Hebestreit. “Kancelari do të dalë me një deklaratë, kur të ketë marrë përgjigje për të gjitha pyetjet që kanë lindur që nga e premtja”, shtoi ai të hënën në të njëjtën konferencë.
Mall rus me etiketë gjermane
Të premten e kaluar (7.10.), programi satirik i ZDF (kanali i dytë publik gjerman), Magazin Royale, kishte zbuluar se organizata lobuese Këshilli i Sigurisë Kibernetike, të cilën e kishte themeluar shefi aktual i BSI, Arne Schoenbohm, ka kontakte me shërbimin e fshehtë rus.
Në organizatën në fjalë, krahas kompanive gjermane me rëndësi strategjike, si korporata energjetike E.ON, farmaceutike Bayer, kompania Commerzbank apo edhe institucione publike, si Ministria gjermane e Shëndetësisë, kishte si anëtare edhe kompaninë Protelion, që nuk është tjetër veçse dega gjermane e kompanisë ruse të sigurisë kibernetike O.A.O. Infotecs. Protelion, e cila deri në mars të vitit 2022 quhej Infotecs Deutschlan u ofron bizneseve dhe personave privatë e publikë, nën etiketën “made in Germany” një sistem komunikimi të quajtur ViPnet VPN për mbrojtjen nga sulmet kibernetike.
Sipas hulumtimeve të Magazin Royale dhe rrjetit investigativ Policy Network Analytics, kompania është themeluar në vitin 1991 nga ish-studenti i shërbimit të fshehtë sovjetik, KGB, Andrei Çapçajev. Sipas të njëjtave burime, matemakani dhe informaticieni rus, i shkolluar në bankat e KGB-së, është nderuar me një medalje nderi nga presidenti rus Vladimir Putin dhe kompania mëmë ruse Infotecs
mban lidhje biznesi me shërbimin e fshehtë rus.
Mbrojtje nga sulmet ruse?
Këshilli i Sigurisë Kibernetike të Gjermanisë (CSRD), mori shkas nga investigimet e gazetarëve për ta përjashtuar kompaninë Protelion GmbH /Infotecs Deutschland nga organizata e saj. “Veprimet e Protelion GmbH janë një shkelje e qëllimeve të shoqatës Këshilli i Sigurisë Kibernetike të Gjermanisë e.V. Akuzat e bëra nga raportimet në media nuk janë në përputhje me luftën kundër krimit kibernetik dhe promovimin e sigurisë kibernetike”, argumenton Këshilli i Sigurisë Kibernetike në një deklaratë shtypi.
Por në të njëjtën kohë, presidenti i kësaj shoqate, Hans-Wilhelm Dünn, i quan” absurde” kritikat për ndikimin e Moskës në organizatën e tij. Këto janë akuza kundër një anëtari të vetëm të CSRD e.V. Protelion GmbH dhe paraardhësi i tij Infotecs GmbH iu bashkua shoqatës në qershor 2020. Që atëherë nuk ka pasur as bisedime e as projekte të përbashkëta me përfaqësues të kompanisë. Prandaj, ata nuk kanë mundur të kenë ndikim as mbi platformën e klubit dhe as në qarqet e CSRD”, është shprehur Dünn.
Dünn thotë, se si BSI, as ne nuk kemi qenë në dijeni të lidhjeve të Protelion GmbH me shërbimet ruse. “Ne i marrim seriozisht akuzat dhe mbështesim përpjekjet e autoriteteve shtetërore për të sqaruar rolin e Protelion GmbH në mënyrë që të jemi në gjendje të vlerësojmë shkallën në të cilën ka ndodhur në të vërtetë një përpjekje për ndikim”, tha kryetari i organizatës lobiiste. Dünn tha në një intervistë për WeltTV se akuzat ndaj Schoenbohm janë të padrejta dhe me motive partiake.
Motive partiake?
Aludime se Schoenbohm, i cili ka ardhur në post, në kohën kur ministrinë e brendsme e kishte Horst Seehofer, nga partia kristiansociale që tani është në opozitë, nuk është tjetër veçse një “kokë turku” e koalicionit tripartiak të qendrës së majtë, për ta mënjanuar Schoenbohmin nga ky post, bëjnë edhe disa mediume të tjera gjermane si Wirtschaftswoche, dhe DerSpiegel. Edhe politikanë të opozitës të spektrit konservator paralajmërojnë që çështja të mos personalizohet.
Andrea Lindholz, deputete e partisë kristiane-sociale, thotë se Schoenbohm nuk është i vetmi që ka lidhje me Këshillin e Sigurimit Kibernetik. Edhe politikanë të koalicionit aktual si zëdhënësi i politikës së brendshme të grupit parlamentar të liberalëve, Manuel Höferlin, ka qenë i pranishëm në një cermeoni jubilare, dhe ka mbajtur fjalën pikërisht pas Schoenbohm. “BSI gëzon një reputacion të shkëlqyer – në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Kjo duhet të mbrohet, veçanërisht në situatën jashtëzakonisht të tensionuar të sigurisë. Kjo është arsyeja pse të gjithë të përfshirët duhet të veprojnë me përgjegjësi”, tha politikania kristiane-sociale përmes një deklarate në media.
Edhe kolegia e saj, nga partia e madhe simotër, CDU, e merr në mbrojtje Schoenbohm, si një person të përgjegjshëm dhe të vetëdijshëm për infiltrimet e mundshme nga Rusia, prandaj kërkoi sqarim të plotë të të gjitha fakteve. Sidomos ne duam të dimë për rëndësinë e kompanisë Protelion GmbH për sigurinë kibernetike në Gjermani dhe në arkitekturën e IT të administratës publike”, u shpreh ajo në të njëjtën deklaratë.
dw