Tema e Iranit mbizotëroi në një takim në Shtëpinë e Bardhë të hënën midis Presidentit amerikan Joe Biden dhe homologut të tij izraelit.
“Irani nuk do të sigurojë kurrë një armë bërthamore sa të jem unë në detyrë,” i tha zoti Biden presidentit izraelit në largim, Reuven Rivlin.
Zoti Biden e bëri deklaratën një ditë pasi urdhëroi sulme ajrore kundër atyre që zyrtarët ushtarakë amerikanë i përshkruan si objekte operacionale dhe për ruajtje armësh të milicive të mbështetura nga Irani në Siri dhe Irak.
Sulmet ndodhën ndërsa vazhdonin negociatat në Austri mes Iranit dhe gjashtë fuqive botërore, përfshirë Shtetet e Bashkuara, në përpjekje për të ringjallur një marrëveshje që kufizon programin bërthamor të Iranit.
Gjatë takimit të tij me zotin Rivlin, Biden mbrojti urdhrin e tij për përgjigjen ushtarake.
“Unë urdhërova sulmet ajrore të mbrëmshme që vinin në shënjestër objektet e përdorura nga grupet e milicisë së mbështetur nga Irani, përgjegjëse për sulmet e fundit ndaj personelit amerikan në Irak,” tha ai, duke shtuar se kishte autoritetin ta bënte një gjë të tillë sipas nenit dy të kushtetutës amerikane që njihet nga ligjvënësit në Capitol Hill.
Disa ligjvënës në Partinë Demokratike të Bidenit, gjithsesi nuk janë të kënaqur me këtë interpretim të gjerë të autoritetit të Kushtetutës për kompetencat e luftës, si dhe autorizimet e fillimit të shekullit 21 për përdorimin e forcës ushtarake nga presidenti.
Administrata e zotit Biden ndërmori sulme të ngjashme ajrore në shkurt.
Rivlin, i cili lë postin kryesisht ceremonial muajin e ardhshëm pas një mandati shtatë-vjeçar si president i Izraelit, tha se deklarata e presidentit Biden për një angazhim të palëkundur ndaj të drejtës së Izraelit për vetëmbrojtje bën që “izraelitët të kuptojnë se kemi një mik të madh në Shtëpinë e Bardhë.”
Të dyja qeveritë po përshtasin marrëdhëniet e tyre 73-vjeçare pas ndryshimeve të fundit të udhëheqësve të tyre përkatës politikë.
Preisdenti Biden tha se ai pret që së shpejti ta ftojë kryeministrin e ri izraelit, Naftali Bennett, në Shtëpinë e Bardhë dhe në përgjigje të një pyetje të Zërit të Amerikës se kur do të vizitojë Izraelin, tha se “nuk ka një date, por do ta bëjë”, një gjë të tillë.
Paraardhësi i zotit Bennett, Benjamin Netanyahu, gëzonte një marrëdhënie të ngushtë me ish-presidentin amerikan, Donald Trump. Dy qeveritë e tyre nënshkruan Marrëveshjet e Abrahamit, që sollën si rezultat vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Izraelin të dy shteteve të tjera arabe, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreini.
“Dy administratat e reja duan t’u rikthehen marrëdhënieve të mira dhe të dy do ta arrijnë këtë duke mos ndryshuar status quo-në. Izraeli ka një qeveri me shumë qëndrime ideologjike dhe nuk ndjek dot njërën ose tjetrën dhe SHBA nuk po lë të kuptohet se do ta ndjekë synimin për një zgjidhje me dy shtete, i tha Zërit të Amerikës, Paul Scham, që drejton Institutin Gildenhorn në Universitetin e Merilendit.
“Izraeli e di që nuk mund t’i ndalojë Shtetet e Bashkuara të ndërmarrin hapa drejt një marrëveshjeje bërthamore me Iranin, por mbi të gjitha dëshiron marrëdhënie të mira,” thotë profesor Scham, i cili është gjithashtu studiues në Institutin e Lindjes së Mesme.
Analistë të tjerë mendojnë se qeveria e re izraelite duket qartë se do të ketë një qasje më pak partiake ndaj marrëdhënieve me Uashingtonin sesa ajo e mëparshme.
Qeveria e zotit Bennett shihet si më e moderuar në disa aspekte sesa ajo e zotit Netanyahu, por “nuk ka gjasa të marrë hapa madhore për të ndihmuar që t’i jepet fund pushtimit të vazhdueshëm dhe aneksimit de facto në Bregun Perëndimor ose te punojë fuqimisht drejt paqen Izraelito-Palestineze – dhe për këtë arsye do të vazhdojnë të kenë dallime të konsiderueshme me SHBA për këto çështje kritike, ndërsa do të gjekë gjuhë të përbashkët për të tjera, “tha për Zërin e Amerikës, Logan Bayroff, një zëdhënës i J Street, një grup me ide liberale që është i përqendruar tek Izraeli.
“Po inkurajojmë administratën e zotit Biden dhe Kongresin që ta bëjnë absolutisht të qartë se SHBA janë plotësisht të përkushtuara ndaj sigurisë së Izraelit dhe se ne konsiderojmë që status quo-ja e pushtimit nuk mund të vazhdojë pa fund dhe është e padrejtë dhe e dëmshme për interesat e dy vendeve tona, “tha zoti Bayroff.
Të pranishëm në takimin Biden-Rivlin të hënën ishin këshilltari i sigurisë kombëtare Jake Sullivan dhe zyrtarë të tjerë, si dhe ambasadori izraelit në SHBA, Gilad Erdan.
voa