Izraeli intensifikoi sulmet ajrore në Rripin e Gazës dhe e izoloi atë, duke ndërprerë furnizimet me ushqim, karburant dhe gjëra të tjera të hënën në shenjë hakmarrjeje për sulmin e përgjakshëm të militantëve të Hamasit.
Numri i të vdekurve nga të dyja palët u rrit në afro 1600. Hamasi gjithashtu përshkallëzoi konfliktin, duke u zotuar të vriste izraelitët e kapur nëse ushtria izraelite sulmon civilët pa paralajmërim.
Në ditën e tretë të luftës, Izraeli vazhdoi të gjente trupa të viktimave të sulmit të befasishëm të Hamasit në fundjavë në qytetet jugore të Izraelit. Ekipet e kërkim-shpëtimit gjetën 100 trupa në komunitetin e vogël rural të Beerit, rreth 10% e popullsisë së tij, pas një përleshjeje të gjatë të tyre me militantët e Hamasit. Në Gaza, dhjetëra mijëra njerëz u larguan nga shtëpitë e tyre pasi sulmet ajrore shkatërruan ndërtesat.
Ushtria izraelite tha se riktheu kontrollin në jug të vendit, pasi sulmi i Hamasit e gjeti aparatin e saj të njohur ushtarak dhe të inteligjencës pothuaj plotësisht të papërgatitur dhe çoi në beteja të ashpra në rrugët e qyteteve për herë të parë në dekada. Hamasi dhe militantë të tjerë në Gaza thonë se po mbajnë peng më shumë se 130 ushtarë dhe civilë të rrëmbyer brenda Izraelit.
Tanket dhe dronët izraelitë u dislokuan për të mbrojtur çarjet në gardhin kufitar të Gazës për të parandaluar inkursione të reja. Mijëra izraelitë u evakuuan nga një numër qytetesh afër Gazës dhe ushtria mobilizoi 300 mijë rezervistë.
Këto lëvizje, së bashku me shpalljen zyrtare të gjendjes së luftës nga Izraeli të dielën, tregojnë se Izraeli po kalon në një ofensivë të madhe kundër Hamasit, duke kërcënuar me shkatërrim më të madh në Rripin e Gazës, një rajon me popullsi të dendur dhe të varfër.
“Ne sapo kemi filluar të godasim Hamasin”, tha kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu në një fjalim televiziv kombëtar. “Ajo që ne do t’u bëjmë armiqve tanë në ditët në vijim do të bëjë jehonë tek ata për breza të tërë.”
Rreth 900 njerëz, përfshirë 73 ushtarë, janë vrarë tashmë në Izrael, sipas mediave. Në Gaza, më shumë se 680 njerëz kanë humbur jetën, sipas autoriteteve atje; Izraeli thotë se qindra luftëtarë të Hamasit janë mes tyre. Mijëra njerëz të tjerë janë plagosur nga të dyja anët.
voa